Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Greqia merr hak tek “pabuksit”

Nga 27.al 0

Enkel Demi

Nga Enkel Demi

Diçka do bënin dhe e bënë. Kanë nisur të sjellin në kufij njerëz të këputur që halli i ka plasur në vendin fqinj. Varfëria nuk është turp, por si e këtillë trajtohet nga fqinjët. Një shtet që është i lidhur me kishën si Greqia, nuk është kusht që të jetë shtet kristian ose të paktën të punojë në këto themele. Të shkulësh skamnorin dhe ta dënosh duke u kthyer pas, atje ku varfëri më e madhe do e presë, është një përsëritje në përmasë më të vogël e përdhunës së eksodit.

Çfarë ka ngjarë?

Qeveria e Shqipërisë me kryeministrin nuk kanë lëshuar pe ose më mirë nuk kanë zbutur tonet. Edi Rama nuk ka drojë prej kërcënimeve me pushkë, tanke dhe avionë të ministrit Kotzias dhe vetëm sa ka gërvishtur cipën e historisë greke, ku shqiptarët kanë rol thelbësor. Rrëfeu historinë e Gjergj Dushmanit e më pas u ballatar me Vangjel Dulen për një shtëpi, ca garazhe dhe qofteri të Stavrit e Nikollaqit në Himarë.

Në mes të polemikës shfaqet sërish ministri Kotzias, i cili thotë që historia bëhet me fakte dhe jo me fiksion. Dhe faktet janë kokëforta sipas tij. Ja ku përsëritet me fakte historia; kthehen shqiptarët në kufi. Të kthyerit janë faktet e gjalla si u përzunë nga Greqia hebrenjtë e Selanikut, shqiptarët e Athinës, Selanikut, Janinës, ishujve, Çamërisë, turqit, bullgarët, maqedonët, romët dhe ja ku kemi sot një vend të Bashkimit Europian, i cili deklaron me krenari se në tokën e vet nuk ka kurrfarë minoritetesh.

Të kthyerit e fundit në kufinjtë tanë tregojnë se sa është i vërtetë eksodi i çamëve, sepse fqinjët tanë dinë vetëm një mënyrë të komunikimit, të të përzënë.

Fjalimi i Edi Ramës për hir të së vërtetës nuk është se ka gëzuar mbështetjen e të gjithë opinionit publik (kundërshtarët e tij të shumtë politikë, opinionistët snobë dhe bjerraditës kozmopolitë e kanë shprehur këtë). Qëndrimet e qeverisë, të cilat edhe këtu i kanë paragjykuar si tymnajë nacionaliste, marrin përgjigjen më të shëmtuar, të rëndomtë, të poshtër nga Athina zyrtare. Hakmarrje ndaj të dobëtit, të pambrojturit, “pabuksit” (do thoshin cubat e Tiranës), hakmarrje ndaj të lodhurit që kërkon punë me mëditje në Sheshin “Omonia”. Pikërisht, ata po kthehen si pemëthyma në Kakavijë. Qëllimi është i thjeshtë; t’ia plasësh në derë qeverisë së Tiranës mërinë e verbër dhe robin që është për çapën e bukës.

E dëmton kjo Edi Ramën dhe qeverinë e tij? Vështirë, përkundrazi. Ka për të shtuar polemikën dhe në këtë lëmë ustai ndodhet në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Kjo sjellje greke, madje do shtojë tonet patetike në media dhe rrjete, do shtojë vargjet, rizbulimin e heronjve të tjerë shqiptarë nga Marko Boçari tek Kollokotroni e natyrisht do e çojë faktorin Vangjel Dule, Stavri dhe Nikollaq tek drutë, sepse populizmi është kashtë që merr flakë shpejt.

Megjithatë ka një humbës të madh. Ai është varfanjaku që pasnesër do kaptojë sërish malin në këtë mot të keq, se fëmija do bukë. Ky është fakti kokëfortë që e sjell Greqinë para historisë njësoj të pabesë, të pamëshirshme, të padashur, inatçore, hakmarrëse, e cila megjithëse e ka shtetin të lidhur me kishën, e ka larg nga Krishti si farisejtë e Jeruzalemit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>