Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Granit Xhaka rrëfen ëndrrën, Arsenalin dhe Henrinë: Skënderbeu kualifikohet

Nga Media 0

Granit Xhaka është kthyer në një ndër futbollistët më të rëndësishëm tek Arsenal, teksa ka marrë vlerësimet maksimale nga trajneri Arsen Wenger për paraqitjet e tij.

Mesfushori kosovar zhvilloi një sezon të shkëlqyer me “topçinjtë”, ku në Premier League në 32 ndeshje realizoi 2 gola dhe dha 2 asiste.

Lojtari 24-vjeçar të ardhmen e shikon tek Arsenal, ku ëndërron të fitojë titullin kampion.

Në një intervistë ekskluzive për eduasportin.com, Xhaka rrëfen eksperiencën në kampionatin anglez, marrëdhënien me trajnerin dhe shokët e ekipit.

Gjithashtu, ai ka përgëzuar edhe Skënderbeun për ndeshjen e luajtur ndaj Dinamos së Zagrebit në fazën play-off në Ligën e Evropës, teksa beson se do të kualifikohet më tej.

Granit, jeni në sezonin e dytë tek Arsenal. Si është të luash në Premier League?

Po, është sezoni i dytë dhe natyrisht që është një ndjenjë tepër e veçantë. Kjo, pasi Premier League është një ndër ligat më të forta në botë. Ndihem mjaft mirë dhe i lumtur që jam pjesë e këtij kampionati.

Si i keni marrëdhëniet me trajnerin Wenger? Po me lojtarët?

Shumë të mira si me trajnerin Wenger, gjithashtu edhe me lojtarët e tjerë. Marrëdhënie normale, pozitive dhe natyrisht profesionale.

Me cilin keni më shumë afrimitet?

Me të gjithë lojtarët jam njësoj, por me ata që flasin gjermanisht më shumë, sepse kuptohemi më mirë.

Kush bën më shumë rrëmujë në ekip, ju apo Mustafi?

Mendoj se asnjëri prej nesh, jemi korrektë.

Cili është futbollisti më i fortë, me të cilin jeni përballur në Premier League?

Në Premier League ka shumë lojtarë cilësorë, ndaj nuk kam ndonjë emër në veçanti që mund t’a them.

A e shikoni të ardhmen tek Arsenal? Cila është ëndrra juaj ?

Po është normale që edhe të ardhmen e mendoj tek Arsenal, pasi kam kontratë edhe për katër vite me klubin. Ëndrra ime është që të fitoj Premier League, njësoj sikurse edhe gjithë tifozët e Arsenal.

A do jetë ky viti i Arsenal për t’a fituar titullin?

Ne do të japim maksimumin në secilën ndeshje dhe në fund të shpresojmë që do shpallemi kampionë dhe të ngrejmë trofeun.

Cili është lojtari më gazmor në ekip? Po më seriozi?

Më gazmori është Santi Cazorla, ndërsa më seriozi Peter Cech.

Ju pëlqen Londra? A ka tifozë shqiptarë aty?

Londra është një qytet i madh dhe i mirë dhe sigurisht që ka edhe shumë tifozë shqiptarë që e ndjekin kampionatin.

Në verë, Alexis Sanchez u pa në Kili gjatë pushimeve duke mbajtur një bluzë ku shkruhej emri juaj. Ka ndonjë histori për këtë bluzë?

Jo nuk ka ndonjë histori.

Mediat shkruajnë se Sanchez po mendon të ikë. Sikur të mbanit edhe ju një bluzë me emrin e tij, a do t’ia ndryshonit mendjen?

Unë nuk e di nëse do të ikë nga Arsenal apo jo. Por, sigurisht që ne kemi dëshirë që t’a mbajmë në ekip pasi është super lojtar.

Pak ditë më parë edhe Thiery Henry kërkoi nga ju që të godisnit direkt në portë e mos ta qarkulloni shumë topin, sepse keni një të majtë fantastike. Të presim më shumë gola nga ju tani?

Jam shumë i kënaqur që një lojtar si Henry më ka vlerësuar me një kompliment të tillë. Nëse do të kem mundësi, do të godas në drejtim të portës dhe natyrisht shpresoj të shënoj gola të tjerë.

Keni ndjekur ndeshjen e Skënderbeut ndaj Dinamos së Zagrebit dhe e keni mbështetur. Si i’u duk loja e Skënderbeut? A besoni se mund të kualifikohet në ndeshjen e kthimit?

Po e kam ndjekur ndeshjen dhe mund të them se kanë bërë një lojë shumë të mirë. Mendoj që i kanë shanset shumë të mira për t’u kualifikuar më tej. Tani na mbetet të presim dhe shpresojmë që do të kualifikohen në “Elbasan Arena”.

Intervistoi: Eva Marku

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej