Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Gjërat janë të ndara në jetë, djalosh: Birra e ftohtë, femra e nxehtë

Nga Media 0

Nga Ndriçim M. Ademaj

7 franga e 30 centë. Kaq më paskan mbetur deri në fund të javës. I numërova edhe një herë. As edhe një cent më shumë. Hapa një kanaçe dhe fillova ta pi ngadalë. Një copë sallam bajat e ha ngadalë, duke kruajtur dhëmbët. Dua të jem mi. Ose mizë, që të ngopem me një copë të vogël sallami. Më mirë të mos kesh të dashur sesa të jesh i varfër. Më mirë të jesh i varfër, se të kesh një grua në shtëpi. Pse dreqin ka keq e më keq? “Ka keq e më keq” është shpikje e fukarenjve. Të pasurit e thonë për të tallur bythën me ata që s’mund ta ngijnë kurrë barkun si duhet. E piva edhe pikën e fundit që kishte ngelur dhe shkova në nevojtore. Sa herë shkoj në nevojtore e shikoj mikun tim kokulur. Më duket sikur nuk më flet. Sikur më ka marrë inat prej kohësh. E shikoj, e mundohem t’ia qëlloj bash në vrimë. Ndoshta krejt njerëzit mundohen t’ia qëllojnë bash në vrimë. Presidenti i Amerikës, mbasi ka futur një botë të tërë në luftë dhe ka dhënë një grusht medaljesh nderi, mundohet t’ia qëllojë në vrimë. Diktatorët ndoshta mundoheshin t’ia qëllonin edhe ata. Kushedi sa njerëz janë vrarë me urdhër të një diktatori të dëshpëruar që nuk ia ka qëlluar bash në vrimë.
Tërë jetën time jam munduar dhe gjithmonë kam dalë huq. Më së shumti kam dalë huq me femrat. Sa herë kam qenë me një femër për herë të parë, kam ndezur një cigare dhe kam filluar të mendoj se si mund të iki prej saj. Duhej të kishte gjithmonë një mënyrë. Një derë për të dalë. Edhe shtëpia më e bukur në botë e ka një derë për t’ia mbathur që andej. Madje edhe parajsa. Kur shihja derën, vija kokën në prehrin e saj dhe më zinte gjumi. E prapë se prapë nuk i kam kuptuar kurrë femrat. E jeta do të ishte shumë më e thjeshtë po të hiqja dorë nga dëshira për t’i kuptuar.
Henri e ka në terezi. “Gjërat janë të ndara në jetë, djalosh: birra e ftohtë, femra e nxehtë. Fundi i muhabetit!” – thoshte ai plak grindavec.
Në frigorifer kishte mbetur edhe një kanaçe e shtrembër.
E piva me një frymë dhe shkova ta pshurrja. Kësaj here, bash në vrimë…

(nga “Pa heronj, pa bujë”)

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej