Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Gëzuar ditëlindjen Shqipëria ime!

Nga 27.al 0

Nga Adrina Kabashi

Nëse unë dhe të gjithë bashkëmoshatarët e mi do të binim dakord në një pikë të përbashkët do të thonim që Shqipëria nuk është vendi më i mirë që ne të ndërtojmë të ardhmen tonë. Në këtë shkrim, ndryshe nga përgjithësimet që janë bërë në 16 vitet e jetës sime, duke filluar nga prindërit, familja, mësuesit, miqtë dhe zgjerim i rrethit, ku unë nuk jam parë si subjekt i përveçëm, por pjesë e turmës që po rritem në një vend në tranzicion, dua të flas si Adrina, vajza që ka në dorë të ardhmen e vet dhe të vendit.

A duhet të angazhohem unë për një vend i cili ka kryefjalë të përditshme korrupsionin, dhunën dhe varfërinë? A duhet unë të angazhohem për një tokë, e cila  po pëson një “zbrazje historike” të rinisë së saj drejt Perëndimit? A duhet unë të angazhohem për një shtet ku nuk promovohet meritokracia, por mikokracia?

1

Nëse do të merrja në përgjigje çdo pyetje të lartpërmendur do të bëhesha palë me politikën dhe median, e cila e bën më së miri këtë pjesë. Unë sot zgjedh të angazhohem. Angazhimi im është i përditshëm dhe në hapa të vegjël, por të sigurtë dhe pozitiv. Ndërrmarrja e hapave të përditshëm që unë kryej për vendin, ku unë jetoj është pikënisja e një rrugëtimi të gjatë për ta bërë këtë vend më të mirë për të jetuar. Mendoj se detyrat e mia janë të mirëpërcaktuara dhe fundja jo shumë të vështira në realizim. Unë studioj çdo ditë fort duke pasur të qartë se një vend bëhet më i mirë më njerëz të përgatitur t’i japin zgjidhje praktike dhe konkrete problemeve që ka. Unë e bëj më të jetueshëm vendin tim duke i qenë krah prindërve të mij, të cilët rrisin fëmijët me gjak dhe djersë, ku ashtu si shkruesi i vogël fiorentin më duhet herë pas herë të zbardh netët duke bërë punë të vogla. Mendoj se e ndihmoj vendin tim duke e mbajur pastër atë, respektuar moshën e thyer dhe ndihmuar të miturit. Ndihmoj të sëmurët duke dhuruar gjak dhe të varfërit me ushqime dhe veshmbathje. Melodia e kitarës sime ndoshta nuk shëron plagët e një fëmije pa prindër, por unë përpiqem t’ia gëzoj ditët dhe ta bashkoj në këngën time të gëzueshme. Poezia ime nuk e pastron detin dhe qiellin e qytetit tim, por më bën të kuptoj se muza e shpirtit tim sapo është zgjuar dhe ka shumë për të bërë deri sa të shterojë.

Shqipëria në globin e tryezës sime të studimit është një shtet me sipërfaqe shumë të vogël, por në motorin e kërkimit Google të le pamend për njerëzit e rëndësishëm që ka rritur ky dhe i bekuar. Shembulli që unë kam dhe besoj në frutet e angazhimit janë pikërisht Nënë Tereza, Ismail Kadare, Inva Mula, Tedi Papavrami apo Laura Mersini. Këta janë njerëz që kanë shkelqyer në fusha të ndryshme, por i bashkon një gjë: toka nga dolën dhe krenaria, me të cilën e përmendën.

Ashtu si Kostandini edhe nga varri u ngrit të mbante fjalën e dhënë ndaj nënës së tij apo gjakësi pranon mik hasmin e tij, besa e dhënë dhe mikpritja janë vlera të pamohueshme të vendit tim ku përveç angazhimit tim në mbajtjen dhe ruajtjen e tyre promovimi i tyre ia rrit vlerat më shumë këtij vendi.

Shqipëria e bukur apo e shëmtuar? E pasur apo e varfër? Në ndërtim apo e rrënuar? Ndoshta është si historia e gotës, gjysëm plot apo gjysëm bosh… Unë e shoh gjysëm plot nga Vermoshi në Konispol, ku duket sikur Perëndia e Tokës Ilire, Vidasusi është kujdesur të bekojë çdo centimetër . Male e fusha, kodra dhe pyje, dete, liqene, lumenj, diell dhe re, borë dhe shi, 4 drejtime gjeografike, 4 stinë, 4000 vite qytetërim dhe një gjuhë unike në familjen e gjuhëve botërore. Kur kam përpara këtë panoramë më vjen natyrshëm detyrimi i vetëm që ta dua dhe kujdesem për këtë vend. Të angazhohem të mbroj çdo gjethe, çdo peshk, çdo shkronjë dhe çast historik. Këto bëhen vetëm duke mos i keqpërdorur ato.

Në fund të detyrave të mia përsëri do më duhet të dal nga individualiteti im dhe të bashkohem me përgjithësimet që më bënin në fillim të shkrimit tim. E bëj këtë përgjithësim, sepse unë kam nevojë për ty, ty, ty dhe ty, të gjithëve ju ta bëjmë më të mirë këtë vend, këtë ajër që ne thithim, këto rrugë që ne shkelim, këto fjalë që flasim dhe ata njërëz që duam. Kështu doja të ta uroja ditëlindjen sot, Shqipëria ime!

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>