Ka than' i moçmi: 

"Nuk mendohemi se po mbytet kombi, por shikojmë se mos i lagen çorapet"

                                                                                       -Fan Noli

Fronti i bën gjyqin sërish At Zefit

Nga 27-shi 1

Nga Enkel Demi

Para do ditësh botuam në 27.al një koment të studiuesit Kastriot Dervishi, i cili ilustronte fotot e disa partizaneve me një fjali të librit “Rrno për me tregue” të at Zef Pllumit. Pjesa e zgjedhur me qëllim ishte kjo: “Ushtria partizane, e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante ma shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund të ishin ato femna me pushkë në krah?”

Kush e la lexuar këtë libër të murgut françeskan gjen dëshmi ngjethëse si janë sjellë partizanët e udhëhequr nga Mehmet Shehu në Shkodër, Malësi të Madhe dhe gjetkë. Bëhet fjalë për tortura çnjerëzore, përdhosje të objekteve të kultit, zhdukje të dëshmive kulturore, burgosje, vrasje, krime kundër popullsisë së pambrojtur, genocid. Nuk është i vetmi at Zefi që e rrëfen këtë llahtari, por dhe plot të tjerë. Sa për par condicio po ju përmend dëshmitë e Arshi Pipës, meqë në traditë i përket besimit mysliman.

Natyrisht, askush nuk ia heq të drejtën askujt të besojë në rrena, sepse njeriu është një qënie politike dhe ka aftësinë që rrenën ta bëjë shtatore si ndodhi rëndom në Shqipëri me monumentet e Enver Hoxhës, Stalinit apo vrasësve të historisë së re shqiptare. Në Shkodër dhe Postribë partizanët u sollën si pushtues dhe vranë, prenë, ndynë e grabitën sa mundën. Por, duket se po ta prekësh përsëri këtë temë shkakton të njëjtën frymë dacibao-sh që bënte dikur Fronti Demokratik në lagje, kur të merrnin erzin, pse e kishe kthyer vibratorin nga italiani.

Si kurrë më parë faqet e mia që vetëm sa shpërndava shkrimin, por edhe të 27.al u kthyen në mejdanin e përroit psiqik. Të panumërt ishin ata që i tregonin klerikut vendin, madje i thonin atij që të shihte murgeshat, jo partizanet. Të tjerë e shpallnin murgun tradhëtar që nuk përulet para 28 mijë dëshmorëve, luftës partizane dhe shoqeve të ndritshme të Nacional-Çlirimtares. Të tjerë evokonin faktin që Partia emancipoi gruan nga gërxhet e maleve në rrugët e qyteteve. Dikush e quante at Zefin patriarkal, madje i bënte thirrje që ta shihte të keqen tek vetja. Ishin plot të tjerë që e këshillonin murgun të lexonte faqet e lavdishme të luftës së popullit tonë trim e të paepur kundër gjermanit, italianit, anglo-amerikanit, ballistit, legalistit e deri tek filmi “Ballë për ballë”.

Përmenda veç komentet dhe vërejtjet që ishin në kufinjtë e etikës, sepse pjesa dërrmuese janë kërcënime apo fyerje banale dy lekëshe, nga ato që rrjeti ynë i ka me shumicë. Cektësia, urrejtja, shqipja e shkruar si mos më keq, stërkalat e mallkimit janë një emërues i përbashkët e kësaj kolonie ndëshkimore, e cila pasi mbaron punë me këtë prift të “zi” si veladoni, e mban frymën diku gjetkë për një tjetër betejë telendisje, për ta mprehur shpatën edhe një herë për situatën. Kjo ndjenjë kaq e lartë e mërisë kombëtare, rrëfen më së miri, skamjen shpirtërore që përjeton shqiptaria, e cila është unshëm veç të mallkojë, të vrasë e presë.

Por, ama në 99.9 % e komentatorëve (që i bën një gjyq të ri at Zefit që në jetë boll kishte bërë të tilla dhe me dënime shembullore madje) nuk e dinin se murgu ka vdekur, ka ca vjet. Ka shkuar tek Ati, e ka lënë këtë botë, prandaj do mbetet një patriarkal i pakorrigjueshëm.

Komente (1)

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej