Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Fotografja e surrealistëve nëpër rrugët e Shqipërisë së viteve ’30

Nga Media 0

Nga Luan Rama

Para meje qëndronte një portret, një fotografi e bërë në Shqipërinë e viteve ‘30, kur Denise Hulmann Bellon, fotografja franceze, po ndërmerrte udhëtimin e saj të parë në Shqipëri dhe në Ballkan. Kishte ndaluar rastësisht në një rrugë qëndrore të Tiranës dhe objektivi i aparatit të saj «Rolleiflex» kishte fotografuar një fizionomi të veçantë dhe mjaft përfaqësuese njëkohësht: një imazh i fiksuar jo në studio, me ndihmën e dritave e të prozhektorëve, por një portret i fiksuar në çastin magjik, kur fytyra e një kombi fiksohej në dritën diellore të vet për të mbetur në histori. Po, kisha para meje portretin e një vajze në kulmin e rinisë së saj, me një shami në kokë, por tepër sensuale. Dukej si një aktore kinemaje që të kujtonte Silvana Manganon e filmit «Riso amaro» të De Santis, të viteve 50. Një vajzë me një hundë të bukur, me dy sy të mëdhenj që të vështronin drejt, pa ndroje, me një lloj pyetje dhe enigme që fshihnin brënda, kur ndoshta ajo donte të pyeste dhe kur nuk fliste dot në gjuhën e asaj të huaje që vinte nga metropoli i Evropës dhe që me siguri nuk do ta kuptonte. E atë çast, «Rollefleix»-i ishte shkrepur pa humbur kohë për të fiksuar në «camera obscura» atë fytyrë të rrahur nga drita e bardhë dhe e ngrohtë diellore dhe ku sytë shkrepëtin nën hijen e flokëve të sa të zez.

Kjo fotografi, apo dhe fotografi të tjera që Denise Bellon fiksonte në Shqipërinë e vitit 1934, nuk kishin asnjë lidhje me surrealizmin. Agjencitë fotografike të kësaj epoke kërkonin reportazhe realiste, veçanërisht vënde e qytetërime të panjohura për metropolet, portrete popujsh që duheshin pikëtakuar, edhe pse Shqipëria ishte ende mjaft larg Evropës.

Në vitin 1934, Denise Bellon, kjo vajzë e re e komunitetit hebre të Francës që quhej Denise Hulmann, fillonte karrierën e saj si fotografe. Ishte një rastësi e këndëshme ta niste karrierën e saj të reportazhit me Shqipërinë dhe Ballkanin, duke shkelur dhe rrugët e Kroacisë, Greqisë, Bullgarisë, etj, ashtu siç kishte bërë pak para saj fotografi tjetër francez Willy Ronis, i cili do të zbarkonte me aparatin e tij nga një «Croisière» në Durrës, për të fotografuar kryeqytetin shqiptar. Ky fotograf, që e fillonte po kështu karrierën me Shqipërinë, do të hynte më pas në historinë e fotografisë botërore, ashtu siç Denise Bellon do të bëhej një nga emrat e dëgjuar në fotografinë moderne evropiane. Ishte ajo që do të shoqëronte Henry Miller në udhëtimin e tij në Spanjë, apo Georges Kessel, në «zonën e lirë» franceze të pushtuar nga ushtritë e Wermaht-it.

Denise Bellon kishte studiuar për psikologji në universitetin e Sorbonne-s në vitin 1920. Pikërisht në fillimin e viteve 30, ajo zbuloi fotografinë me artistin Pierre Boucher dhe filloi të botojë fotografitë e saj në revistat e kohës si Artet dhe profesionet grafike, Paris-Magazine, Plaisir de France, Vu, Votre beauté, Coronet, Lilliput, etj. Atëherë ajo zuri miqësi me artistët më në zë të kohës dhe si ata frekuentonte kafenetë e Saint-Germain-dès-Près,në “Les Deux Magots” apo “Flore”, ku fotografonte poetin Jacques Prevert, shkrimtarin Jean Giono dhe Simone de Beauvoir, gruan e Sartre-it, piktorin e njohur André Masson apo kineastin Grimault, etj. Pikërisht në këtë kohë ajo u tërhoq nga surrealistët, e më vonë ishte korifeu i surrealistëve, André Breton, ai që do ta zgjidhte pikërisht Denise Bellon si fotografen ekskluzive për të fotografuar manifestimet artistike surrealiste dhe takimet e Grupit të Surrealistëve, siç do të ishin më parë dhe tri Ekspozitat Internacionale të Surrealizmit në vitin 1938, 1947, 1959 dhe në vitin 1965. Pra ajo do të kishte fatin të fotografonte personazhe me emër të kësaj periudhe si André Breton, Henry Miller (që nuk bënte pjesë në surrealistët), apo surrealistin e orëve të para, Salvador Dali, i cili pozonte në mënyrë të posaçme për të në studio, me një botë manekinësh, në protestën e tyre të zakonshme kundër traditës artistike. Pra, nga një anë ajo do të fotografonte surrealistët, që ishin të preferuarit e artit modern të asaj kohe, dhe nga ana tjetër ne shohim sot fotografitë e fiksuara në rrugët e largëta të Ballkanit, të Magrebit (Tunizi, Marok, etj), të Afrikës frankofone, (Senegal, Niger, Guiné, etj), apo Spanjë, vëndet balltike, etj.

Ajo shkruante përmes dritës.

Ajo nuk ishte një fotografe e studios, siç mund të kishte plot të tillë, por një fotografe e portretit njerëzor, e kësaj gjeografie dhe historie humane të fiksuar në marrëdhëniet e njeriut në jetën sociale, tokën dhe me natyrën. Ajo ishte një lloj «qytetare e botës» që dëshmonte dhe shkruante përmes «dritës». Po, fotografitë e saj për agjencinë fotografike franceze «Alliance Photo», s’kanë asgjë surrealiste nga imazhet shqiptare. Fotografia e pazarit të Krujës është interesante nga pikëpamja e kompozimit dhe e dritës së saj. Në fakt, atë ditë që ajo ka qënë në Krujë, nuk ka qënë ditë pazari dhe qepenët e dyqaneve kanë qënë mbyllur. Ata fëmijë që duken në pragun e një dyqani, janë fëmijë të shtëpijave përreth, që me siguri kanë ndjekur kureshtarë fotografen e huaj. Dhe ja, në një Pazar të boshatisur, me objektivin e ngritur paksa lart, Denise Bellon lejon që në të çarën qiellore që krijohej nga çatitë e dyqaneve në të dyja anët, të japë imazhin madhështor të atyre maleve që janë aq pranë.

Denise Bellon mu zbulua rastësisht, në një bisedë me mikun tim Pascal Hamon. Një zbulim që duhet të na çojë drejt kërkimit të klisheve të tjera të kësaj fotografeje që tashmë ka vdekur (1999), e cila padyshim, në arkivin e saj duhet të ketë imazhe unikale të Shqipërisë së asaj kohe dhe pikërisht pamje që ajo fiksoi në Tiranë, Krujë, Shkodër dhe rrugës gjatë largimit nga Shqipëria. Në fondin e saj fotografik, me siguri që do të befasohemi si nga shënimet e saj gjatë kësaj periudhe, por veçanërisht nga imazhet e jetës qytetare e fshatare, pasi ndryshe nga shumë fotografë të tjerë, ajo ishte e prirur nga fotografia sociale, nga jeta popullore, jeta e rrugës, e njeriut të thjeshtë, pra fiksimi i fytyrës së një populli. Ja pse, në disa reportazhe të saj të kësaj periudhe, fotografitë e fëmijëve, veçanërisht portretet, janë të së njëjtës ndjesi filozofike e humane; fëmijët e varfër janë të tillë edhe në Kroaci, edhe në Bullgari, në Letoni, në Finlandë, apo Spanjë, Tunizi e Marok. Në fotografinë e fiksuar në qëndër të Tiranës, çka duhet të jetë në dyqanet e para që u hapën rrotull Sahatit dhe në Rrugën që më vonë do të quhej “Rruga e Barrikadave”, duken dy fëmijë që vështrojnë kureshtarë një vitrinë, dhe që me sa duket ata janë ciganë, që në atë kohë zbrisnin nga Braka apo Lagja e Tabakëve, buzë Lanës, për të parë dyqanet e para të pijeve alkolike të ardhura nga Italia, me “Fernet-Branca”, etj. Një fotografi që menjëherë të kujton imazhet që përshkruan Victor Hugo me Kozetën e vogël  përballë vitrinave. Jo larg ishin dhe studiot e para të fotografëve shqiptarë, „Bali“, “Ristani”, e të tjerë.

Duke lënë Tiranën dhe iu drejtuar veriut, drejt Shkodrës, ajo fikson dhe imazhet e një peizazhi të paqtë që i shtrihet përpara, ku fare pak njerëz i shfaqen përpara: një luginë me lumen që gjarpëron dhe mali i Dajtit që humbet tutje në horizont me dy majat e tij. Në kthim, duke shkuar drejt kufirit që ndante Bullgarinë me Greqinë, ajo ka fiksuar, (me sa duket në Maqedoni), një dede bektashi, një portret mjaft sugjestionues, çka mbërthen në fytyrën dhe vështrimin e tij, dilemën e madhe të bektashive në atë kohë: të përzënë nga Turqia dhe të instaluar në Shqipëri dhe trevat shqiptare rreth e rrotull, ata mendonin për ekzistencën dhe ardhmërinë e besimtarëve të tyre.

Denise Bellon nuk do t’i kthehej më Shqipërisë. Sigurisht, do të donte të rikthehej në vitet e pasluftës, por si për shumë gazetarë e fotografë, portat shqiptare ishin mbyllur, për tu hapur plot zhurmë gjysmë shekulli më vonë. Por atëherë, Denise hynte në dekadën e nëntë të jetës së saj të mbarsur me shumë kujtime. ajo ishte nëna e dy personaliteteve të artit modern francez: e regjisores së filmit Yanick Bellon dhe të aktores së njohur Loleh Bellon. Sdoqoftë, një engime surprizë na pret së afërmi: zbulimi në Paris i arkivit të fotografes që shkeli Shqipërinë në vitin 1934, pak kohë pas Willy Ronis, apo shkrimtarëve Roger Vailland, reportazhet e të cilit u ndaluan nga mbreti Zog, shkrimtarit e përkthyesi i famshëm Valery Larbaud, etj. Shkrimtari Eric Le Roy, i cili ka bërë një studim të gjatë për fotografinë dhe stilin e kësaj fotografeje, e konsideron atë si një “zë të vetmuar” dhe të pavarur, në plejadën e fotografëve me emër të shekullit XX në Francë, mes të cilave Gisèle Freud, Germaine Krull, Bérénice Abbot, Laure Albin-Guillot apo Claude Cahun e Dora Maar, e preferuara e Picasso-s. Bellon shkruante dikur: ”Përse e zgjodha fotografinë?… Ishte ana magjike e saj që më ka tërhequr në mënyrë të jashtëzakonëshme, që të mund që përmes shkrepjes së aparatit, të fiksojmë kohën, këtë armik të përjetshëm të njeriut, të mundim ankthin e përhershëm të tij, për të fiksuar një copëz të përjetësisë. E në këtë luftë midis njeriut dhe kohës, njeriu ka qënë së fundi disi fitimtar…“

Kjo frazë na risjell në kujtesë përsëri imazhin e asaj vajze tiranase, të këtij qyteti, që siç thoshte Joseph Roth i pëlqente aq shumë trëndafilët, e cila në turmën anonime të shuar në pluhur gati para një shekulli, ka mbetur si një copëz e gjallë e një bote njerëzore që pulson ende…

/shqip/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej