Ka than' i moçmi: 

Njeriu i lig i ngjan thesit të qymyrit: jashtë i zi, brenda akoma më i zi”.

                          -Sami Frashëri

Eshtrat e shenjta të shqiptarëve…

Nga Media 0

Nga Marin Mema

Disa qindra vendprehje u shtuan në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë. Ceremonia u mbajt me pjesëmarrjen e autoriteteve të vendit fqinj duke i dhënë udhë në këtë mënyrë marrëveshjes së arritur disa kohë më parë mes dy shteteve. Greqia ka insistuar dhe insiston gjithmonë në këtë pikë sepse siç u tha edhe nga Athina zyrtare, eshtrat e tyre në himnin kombëtar grek janë të shenjta.

Po mire o të dashur fqinj, sepse ne s’ju kemi parë kurrë si armiq, ju vini e hyni në vendin tonë, në tokat tona dhe bëni ç’të doni… Ngrini varreza, ngrini flamurë, bëni thirrje fashiste, kërkoni Vorio Epir edhe pse keni pushtuar një pjesë të Shqipërisë. Po historinë a e keni lexuar të paktën? A ju ndodh mbrëmjeve kur mbyllni sytë të kujtoni të shkuarën?

Pse eshtrat e ushtarëve tuaj qenkan “të shenjta” më shumë sesa ato të civilëve të pafajshëm që u vranë nëpër shtëpitë e tyre? Pse eshtrat e ushtarëve tuaj qenkan të shenjta e ato të gjyshërve, nënave, fëmijëve të Çamërisë qenkan të mallkuara? Pse ju keni të drejtë të kërkoni, por kurrë të mos jepni? Pse doni vendprehje të reja, kur shqiptarët e Çamërisë nuk lejohen as t’i shohin pragjet e shtëpive të tyre, tokat ku u prehen stërgjyshërit, tokat që j’ua ka dhënë ai Zot që ju sot predikoni për ushtarët tuaj. Nuk di që Zoti dikund të ketë thënë se eshtrat e ushtarëve tuaj janë të shenjta, e ato të çamëve që u prenë, u therën, u masakruan, u vranë, qenkan herezi.

Ju morët prona, ju keni shkolla, keni parti, keni organizata, keni varreza, keni të drejta, ashtu siç është normale të ndodhë në një vend Europian, e Shqipëria pavarësisht partisë që ka qenë në pushtet, të paktën me minoritetin, ka treguar gjithmonë një qëndrim të tillë. Po ju që vetëmbaheni si nje vend i hapur, me demokraci të lashtë e bashkëjetesë të shkëlqyer, pse refuzoni arvanitasit? Pse refuzoni çamët? Pse i refuzoni të vërtetat e nuk u jepni asnjë të drejtë? Ju doni ura bashkëpunimi, tek të cilat të kaloni veç ju, ndërsa ne të tjerët (shqiptarët) ose duhet të ulim kokën, ose duhet ta kthejmë mënjanë, ose duhet të qëndrojmë të padëshiruar.

Të dashur fqinj grekë sepse siç thashë më sipër ne nuk ju kemi konsideruar kurrë armiq, unë e di që ju keni frikë të lexoni libra për Çamërinë, jo sepse jeni frikacakë por sepse i druheni maktheve që do ju vijnë sa herë të mbyllni sytë. Apo kur të lexoni për fëmijët që kërkonin nënat, për nënat që panë vajzat t’u përdhunohen, për baballarët që ju morën fëmijët, për nënat të cilave ju nxorën foshnjat nga barku.

Sot është koha pa diskutim për të forcuar marrëdhëniet, për të ruajtur bashkëpunimin, për të ecur përpara, por mbi baza reciprociteti dhe jo epërsie. Unë e di që Vangjua i shkretë, i rrudhur në partinë ku ka vetëm veten, kërkon me çdo kusht armiqësi (ndërkohë që flet për bashkëjetesë) sepse vetëm në këtë mënyrë mendon se mund të përfitojë jo thjesht vota, por edhe fonde nga Athina zyrtare. Sepse qëllimi i tij dhe këtyre “ekstremistëve” qesharakë është vetëm ky! Ata duan urrejtjen, përplasjen, duan klithma, duan grisje flamujsh, duan gjithçka përveçse një frymë europiane që i neverit mendime të tilla. Fryma europiane nuk ndan, por bashkon, nuk çirret e nxit konflikte, por shikon drejt të ardhmes pa përsëritur e rikthyer mendësitë bizantine të së shkuarës.

E pra minoritarët në Shqipëri nuk janë prekur e nuk do të preken asnjëherë, përkundrazi, në fshatrat e Dropullit bashkëjetesa është e shkëlqyer e ashtu duhet e do të vazhdojë të jetë.

Ndaj të dashur fqinj nga Greqia, herë tjetër kur të vini, mbyllni nje moment sytë e kujtoni edhe ata mijëra shpirtra çamësh, sepse ato eshtra janë të shenjta, e shenjtëria e tyre nuk mbytet as nga refuzimi, as nga harresa, e aq më pak nga ekstremizmi.

https://real-news.tv/eshtrat-e-shenjta-te-shqiptareve/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej