Ka than' i moçmi: 

“Gjysmë mjeku-vdes njerëzia, gjysmë idealisti-nuk bëhet Shqipëria”.

                                     -Fan Noli

Edi Rama mbron Thaçin me argumentet e pazarit

Nga Media 0

Nga Berat Buzhala

Kur Hashim Thaçi mori malet atje, nuk mori aprovimin tuaj apo nga grupi i gazetarëve”, tha Kryeministri Rama në studion e emisionit Opinion. Mirëpo, është e gjatë lista e atyre burrave që “morën malet” për të luftuar okupatorët, e që në fund u sollën me popujt e tyre në mënyrë shumë më brutale dhe kriminale sesa secili okupator.

Nëse një ditë del në Fushë Kosovë, në pazarin e veturave, që njëkohësisht është edhe pazar i rrobave të vjetra, i teknologjisë së viteve të 80’ta dhe 90’ta, është pazar i çdo gjëje që mund të shitet dhe blihet, atëherë kur aty nxehen gjakrat për dhe kundër liderëve politikë, në masë të madhe argumentet që përdoren janë ato që i përdori Edi Rama, Kryeministër i një shteti, në emisionin Opionin në Klan të Shqipërisë.

“Kur Hashim Thaçi ka luftu, ti ke ikë”, ose “Mos t’ish kanë Hashim Thaçi me shokët e tij, ju hala ishit kanë kah folni serbisht”.

Nëse je kundër tij, atëherë ka edhe kundërargumente po kaq impulsive.

“Ma hesap kishim pasë me i pagu do ushtarë prej Afrikës me ardhë me luftu, sesa çka na kanë bo k’ta”, ose “As shkitë nuk na kanë bo çka po na bojnë këta”.

Pastaj panelistët tjerë në pazar ndërhyjnë sa në një krah sa në tjetrin. Disponimi i tyre për dhe kundër qeverisë, për dhe kundër presidentit, mund të ndryshojë varësisht se si po i ecën tregtia atë ditë. Kështu që shkarje të tilla janë të pritshme dhe të justifikueshme prej një mase njerëzish të pakualifikuar për të dhënë argumente më të ftohta se sa “ku ke qenë ti kur ka kërsitë lufta?”

Mirëpo ta dëgjosh Kryeministrin e një shteti të thotë “kur ky burri doli në mal për të luftuar nuk i pyeti gazetarët se a duhej të dilte apo jo”, kjo është seriozisht joserioze. Ose ta dëgjosh të thotë se “Hashim Thaçin, dhe idetë e tij, mund ta quash të çmendur, por assesi tradhtar”.

Tash kur unë po e shkruaj këtë shkrim kanë kaluar pothuajse 20 vjet prej kohës së luftës, kurse Edi Rama edhe më tutje flet për vitin 2018 sikur për vitin 2000. Sipas Edi Ramës, sikurse për secilin pazarxhi, patriotizmin dhe qëllimet e mira të Thaçit nuk do të kemi të drejtë t’i kontestojmë kurrë më. Sipas tyre Thaçi e rroku njëherë pushkën (le ta zëmë që e rroku), kur ne të tjerët nuk e rrokëm (le ta zëmë që nuk e rrokëm) dhe tash deri në fundin e jetës së tij politike dhe fizike, sa herë që do të flitet për të ardhmen e Kosovës ai ka të drejtë dhe ne nuk kemi të drejtë, “sepse kur e rroku ky burri pushkën dhe iku në mal ai nuk i pyeti gazetarët”.

Se Edi Rama është vetëm njëri nga mashtruesit politikë në këto anë për këtë tashmë askush nuk ka dilema, mirëpo do të mund të ishte një mashtrues pak më i kualifikuar se kaq. Po të isha në vendin e tij, po të kisha qëllim që të mbroja Thaçin, do të kisha përdorur argumente shumë më të mira dhe më të qëndrueshme sesa që i ka përdorur ai – edhe pse këto ditë është shumë vështirë të gjesh të tilla. Mirëpo argumenti më pa rrënjë, më i qullët nga të gjithë, argument pazari, është ai i Ramës që Thaçi kur doli në mal nuk i pyeti gazetarët dhe se, tash e tutje, çdo gjë që ai e thotë dhe e bën nuk mund të kontestohet.

Pa ndonjë përpjekje serioze, thjesht me një të menduar të shpejtë, unë arrij t’i gjej dhjetëra raste të atyre “burrave” që në një fazë të jetës së tyre “dolën në mal pa i pyetur gazetarët”, por që pas disa vjetësh, pas disa dekadash, ata burra u kthyen në mallkim për popullin, ose popujt, e tyre. Rasti më i njohur për të gjithë ne është diktatori Enver Hoxha, i cili gjithashtu kishte dalë në mal pa i pyetur gazetarët. Edhe ai e kishte çliruar Shqipërinë, pak a shumë sikur e ka çliruar Kosovën Hashim Thaçi. Me një fjalë asnjëri nuk çliruan asgjë, mirëpo të dy, në forma të ndryshme, sepse shekujt janë të ndryshëm, i sunduan popujt e tyre me argumente të njëjta. Me argumentin se kanë luftuar njëherë dhe kanë të drejtë çdoherë.

Nuk është vetëm Enver Hoxha, historia njeh edhe shumë e shumë diktatorë të tjerë që në një fazë të jetës së tyre luftuan për vendin e tyre, e që pastaj për 20, 30, 40 vjet i sunduan popujt e tyre në mënyrë shumë më të pamëshirshme sesa ata kundër të cilëve vetë kishin luftuar.

Rastin më të freskët, të gjallë, e kemi diktatorin Robert Mugabe, i cili e humbi pushtetin në Zimbabve, pas pothuajse 40 vjetësh sundimi. Mugabe kishte luftuar, pa asnjë dyshim, me mish e më shpirt, për dy dekada, kundër kolonizatorëve britanikë në Afrikë. Gjithashtu, ditën e parë kur e fitoi luftën, kur u ngjit në pushtet, ai nuk kishte qëllime të këqija, madje zor që të ketë besuar se do ta sundonte aq gjatë popullin e tij, dhe aq keq. Të tillët, pra liderët me prirje diktatoriale, autokratike, thuhet që vetëm në dekadën e parë qëndrojnë me plot vullnet në krye të qeverive dhe shteteve të tyre. Pastaj vazhdojnë të qëndrojnë aty jo pse e duan aq shumë pushtetin, por pse i frikësohen aq shumë burgut. Dhe jo vetëm ata, por edhe rrethi i atyre që i mban ata në pushtet. Sepse nëse bie Mugabe, ose në rastin tonë nëse bie Thaçi, bie i gjithë sistemi. Bien oligarkët, bien vëllezërit e tyre, bien prokurorët e tyre, bien gjyqtarët e tyre. Pas dhjetë vitesh, mund të jetë edhe pas nëntë, ose njëmbëdhjetë, këta udhëheqës, këta revolucionarë, shndërrohen në sistem, më shumë sesa na individë të fuqishëm. Me ose pa njohuritë e tyre, gjatë kohës kur këta gjenden në krye të shteteve respektive, kur këta bëjnë që kinse po merren me punë të mëdha, të përmasave historike, afër tyre, njerëzit e tyre fillojnë e thurin rrjeta të fuqishme merimangash.

Fidel Castro, e edhe Rauli i vëllai, ishin çlirimtarë. Nuk i pyetën gazetarët kur dolën atje në mal. Sot, pas shtatëdhjetë vjetësh, ishulli është pronë e familjes së tyre. Njëra vajzë kontrollon telekomin, njëri dhëndër naftën, një tjetër resortet turistike, e kështu më radhë.

Një kolonel tjetër famëkeq, Muammar Al Gaddafi, në rininë e tij, sikurse ky burri i Ramës që doli në mal pa i pyetur gazetarët, kishte dalë në mal për të rrëzuar një pushtet të korruptuar, për ta ndërtuar më pas në dekadat në vijim një të tijin shumë më të korruptuar dhe shumë më kriminal. Edhe rreth tij, sikur rreth Castros, apo sikur rreth Mugabes, familja e ndërtoi rrjetën e fortë të merimangave, brenda së cilës gjendeshin drejtësia, policia, ekonomia, nafta, telekomi, bregdeti dhe çdo gjë tjetër. Në maje gjendej familja. Familja si biologji por edhe si krim.

Do të lodheshim nëse do t’i shkonim deri në fund listës së “atyre burrave që dolën në mal pa i pyetur gazetarët dhe opinionistët”, e që përfunduan duke vrarë popullin e tyre. Pothuajse e gjithë Afrika në një fazë të saj ishte e sunduar nga gjeneralë dhe kolonelë që ndihmuan vendet e veta të çliroheshin, por që nuk i çliruan edhe qytetarët. Përfunduan në sundimtarë dhe diktatorë të pashpirt. Një pjesë e madhe e Amerikës Latine është e ndërtuar mbi këto karakteristika. Prapë gjeneralët dhe kolonelët. Një pjesë e madhe e Azisë ka funksionuar dhe funksionon kështu. Para disa dekadave shumica e Evropës juglindore qëndronte gjithashtu brenda këtyre shablloneve.

Fatbardhësisht gjërat në Evropë nuk janë më si dikur, përndryshe edhe ne do të kishim përfunduar të sunduar dhe të shtypur nga gjeneralët dhe kolonelët që na çliruan, të cilët, sipas gjuhës së Edi Ramës, kur dolën në mal nuk i pyetën gazetarët.

https://m.gazetaexpress.com/oped/shkruan-berat-buzhala-edi-rama-mbron-thacin-me-argumentet-e-pazarit-578553/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej