Ka than' i moçmi: 

 "Unë dua të rroj gjersa ta shoh të bukurë të dashurën Shqipërinë tonë, të lirë e të madhe dhe pastaj me gëzim le të vijë vdekja"

                                                                                        -Jeronim De Rada

E di që po e lexon këtë poezi

Nga Media 0

Nga Adrienne Rich

E di që po e lexon këtë poezi
vonë, para se të lësh zyrën tënde
me të vetmen llampë të verdhë dhe një dritare që nxin
në plogështinë e një ndërtese të zhytur në qeti
kur ora e pikut ka kaluar me kohë.

E di që po e lexon këtë poezi
në këmbë, në një librari larg oqeanit
në një ditë të hirtë fillim pranvere, flokë të lehtë dëbore degdisen
mes hapësirave të pamata të rrafshirave përreth.

E di që po e lexon këtë poezi
në një dhomë ku ka ngjarë shumë më tepër nga ç’mund të durosh
ku një lëmsh çarçafësh dergjen amullt mbi shtrat
dhe valixhja e hapur flet për arrati
por ende s’mund të largohesh.

E di që po e lexon këtë poezi
ndërsa metroja ngadalëson shpejtësinë,
para se të rendësh nëpër shkallë drejt një dashurie të re
që jeta kurrë s’ta fali.

E di që po e lexon këtë poezi nën dritën
e televizorit, ku shfaqen pandalur imazhe pa zë,
ndërsa pret lajmet e fundit mbi intifadën.

E di që po e lexon këtë poezi në një sallë pritjeje
me sytë që ndeshin vështrime të huajsh që të panjohur do mbeten.

E di që po e lexon këtë poezi nën dritën e neonit
me mërzinë e të rinjve që ndihen të përjashtuar,
që në moshë shumë të re vetëpërjashtohen.

E di që po e lexon këtë poezi me shikim të turbullt:
xhamat e trashë të syzeve t’i zmadhojnë gërmat përtej çdo kuptimi
e ti prapëseprapë vazhdon të lexosh
ngase edhe alfabeti i çmuar është.

E di që po e lexon këtë poezi në kuzhinë
teksa ngroh qumështin, me një fëmijë që të qan mbi supe dhe një libër në dorë,
sepse jeta është e shkurtër dhe ti etje ke.

E di që po e lexon këtë poezi që nuk është në gjuhën tënde
domethënien e disa fjalëve nuk e di, ndërsa të tjerat të ngasin të vijosh leximin
dhe unë dua të di cilat janë.

E di që po e lexon këtë poezi në pritje që diç të dëgjosh,
e mëdyshur mes hidhësisë dhe shpresës,
që mandej t’u kthehesh detyrave që s’mund t’i refuzosh.
E di që po e lexon këtë poezi sepse nuk ke tjetër ç’të lexosh,
aty ku ke ngecur, lakuriq siç je.

Titulli origjinal: Dedikim / Përktheu Beti Njuma

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej