Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Dy gazetarë, që zihen si çakenj për audiencë

Nga Media 0

Nga Mero Baze

Ka pasur një poshtërim mediatik kundër vajzës së dhunuar nga Fushë Kruja, nga dy ekranet që e morën në intervistë. Të dy televizionet që e kishin të ftuar në emisionet respektive, më shumë se sa për vajzën, u kujdesën për audiencën.

Dhe pasi mbaruan punë me të, filluan t’i bëjnë gjyqin vajzës si gënjeshtare, dhe se atë po e shëtisin njerëz mafiozë nëpër studio.

Nuk e vë në dyshim se vajza mund të mos jetë e lirë të thotë gjithë të vërtetën sot, por ajo thotë atë që ndjen se e mbron më shumë.

Një gazetar profesionist, siç ka qejf të thotë Eni Vasili, nëse e shikon se vajza nuk është e lirë të thotë atë që ajo duhet të thotë, nuk e nxjerr në ekran.

Kjo ndodh vetëm nëse dhe gazetarja nuk është e lirë të jetë e vërtetë. Është rregulli numër 1 një i raportimit në gazetari, që nuk bëhet palë të transmetojë dëshmitë e një pengu.

Por kafshëria e të dy emisioneve ishte se përveçse e kanë kërkuar me dhunë në ekran, përveçse kanë treguar dhe vetë “herozimin” se si e kanë marrë në intervistë, pastaj i bëjnë gjyqin dhe thonë se atë dikush po e shëtit dhe e nxjerr në ekrane.

Po mirë vajzës që i paskan vënë pistoletën tek koka të thoshte çfarë donte mafia, po gazetarëve që e intervistuan, çfarë iu kanë vënë tek koka që bënë lojën e mafias?

Kur vajza dha intervistën e parë tek Report TV, ju bë gjyqi gazetarit dhe televizionit, si të përdorur nga “mafia”. Po tani që dy televizionet e mëdha në vend, kërkojnë me ngulm vajzën në TV, dhe pastaj i bëjnë gjyqin asaj si të përdorur nga mafia, çfarë janë?

Unë nuk them që janë të përdorur nga e njëjta mafie që është e kërcënuar vajza, por më keq akoma, nga ajo pjesë mafioze e politikës, që më së paku i “ha palla” për vajzën, por për dramën politike që duhet të prodhojnë me të.

Të marrësh me ngulm vajzën në intervistë, ta kuptosh siç pretendon një gazetare, se ajo po gënjen dhe shtiret, dhe ta transmetosh këtë, pra të bësh lojën e mafias dhe pastaj të gjykosh vajzën si mashtruese, është një gjë më e ndyrë se sa çdo gjë tjetër që mund t’i bëjë mafia asaj vajze, pasi në këtë rast të dy televizionet janë bërë pjesë e lojës së mafias që pretendojnë.

Eni Vasili, që së paku e kishte të regjistruar, mund të hynte në histori duke bërë dje emision pa vajzën dhe duke treguar se e kishte intervistuar atë, por intervista nuk vlente se ishte peng.

Ironi e fatit është se këtë ja ka kërkuar vetë pengu ta bëjë, pra vetë vajza ka kërkuar më pas të mos transmetohet, dhe ajo nuk e ka bërë. Çka do të thotë se është më e lirë ajo vajza e dhunuar, se gazetarja.

Ka plot raste në gazetarinë botërore, kur një pengu nuk i është zgjatur kurrë mikrofoni, kur gazetari e ka kuptuar që është peng. Ka dhe në gazetarinë shqiptare.

Por kjo që dy gazetarë, që zihen si çakenj për audiencë, dhe pasi përdorin për këtë qëllim vajzën e gjorë, më pas i bëjnë gjyqin se atë po e shëtit mafia në ekrane, është ndoshta gjëja më e ndyrë që ka bërë ndonjëherë shtypi kundër jetës së një vajze të pambrojtur, qoftë dhe peng i mafias.

Ky gjest përmbledh brenda vetes, dhe komplekse të tjera inferioriteti të vetë aktorëve ndaj kësaj historie, që buron nga plot episode të errëta të karrierës së tyre në gazetarinë shqiptare, si pengje të mafies së biznesit dhe politikës, për  të cilën ndoshta duhet një debat më i gjerë.

Por mënyra se si tregojnë me heroizëm se kanë tre ditë që gjurmojnë vajzën ta marrin në ekran, xhelozitë ndaj njëri- tjetrit, ku njëri e donte direkt, e tjera të regjistruar, pastaj gjyqi ndaj vajzës se ajo gënjeu për ato që tha në ekran, dhe se mafia ua çoi atyre në studio, është ku e ku më larg, se gënjeshtrat e detyruara të vajzës së gjorë.

Është dëshmi se kush gënjen nga halli, e kush gënjen nga “malli”.

http://www.gazetatema.net/2018/10/02/mire-vajzen-po-gazetaret-kush-i-detyroi-te-transmetojne-genjeshtrat/

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej