Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Drafti i ri: Ja si do bëhet falja fiskale e detyrimeve dhe gjobave

Nga Skenderi 0

Ministri i financave Arben Ahmetaj ka sqaruar sot se cilat do të jenë subjektet që do të përfitojnë nga falja fiskale, drafti i të cilës po hartohet sërish nga financat, pasi ai fillestari nuk mori miratimin e FMN-së. Sipas draftit të ri do të ketë falje për gjobat automatike të sistemit për deklarimin e sigurimeve, për mungesën e kasave, ndërsa vetëm detyrimet deri në 2010 mund të fshihen. Gjobat e vënë deri në 2014 do të fshihen vetëm nëse paguhet principali i plotë.

Konkretisht parashikohet të falen gjobat për deklarim të vonuar prej 10 mijë lekësh të administratorëve dhe punonjësve, që u vunë masivisht në 22 qershor të këtij viti, pas përditësimit të sistemit e-tax. “Patjetër ne e kemi përfshirë në draftin tonë premtimin që ka bërë kryeministri për 10 mijë lekëshin që ka gjeneruar sistemi automatikisht në të drejte ligjore të tatimeve”, ka pohuar Ahmetaj.

Por, ministri ka shtuar se sigurisht që ai ishte një moment specifik dhe theksoi se për sipërmarrjen nuk ka falje. “Nga 1 janar 2011-31 dhjetor 2014 kush paguan principalin i falet gjoba”, tha ai, duke pohuar se për faljen fiskale janë konsultuar me FMN-në prej 8 muajsh.

“Shumë shpejt ligji do të kalojë për vendim-marrje, ideja tashmë e draftuar është që deri në 31 dhjetor 2010 mund të ketë një fshirje”.

Ahmetaj shtoi se ka dy lloj gjobash që janë premtuar nga qeveria që do faleshin 10 mijë lekëshi për sigurimet dhe gjoba për shkak të mungesës së kasave. “Jemi duke ndjekur një parim për të mos krijuar pabarazi tek subjektet”, shtoi ai.

Gjobat e vëna për vonesa në deklarimin e administratorit

Një pjesë e madhe e bizneseve, kryesisht të reja, u gjobitën masivisht më 22 qershor me 10 mijë lekë për vonesa në deklarimin e administratorit, pas përditësimit të sistemit të e-tax.

Ata kanë parë se në sistem u kanë dalë njoftimet për “Gjobë për deklarim të vonuar ESIG27 Nr.1”. Ky njoftim u ka shkuar një pjese të madhe të bizneseve të reja të regjistruara në 2015-2016 dhe gjoba ishte për deklarim të vonuar të administratorit në sistemin e sigurimit.

Vetëm pak ditë më vonë, më 1 korrik, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, pohoi publikisht se këto gjoba do të faleshin, pavarësisht se këmbënguli se ato ishin vënë me të drejtë.

Pavarësisht kësaj, në tetor, tek bizneset u shkaktua konfuzion pasi morën një shkresë nga organet tatimore për detyrimet tatimore të papaguara, ku përfshiheshin dhe gjobat të cilat u vunë automatikisht nga sistemi në qershor për vonesë në deklarimin e punonjësve dhe për të cilat bizneset ishin në pritje të faljes.

Si u zhbë amnistia

Drafti paraprak i faljes fiskale, i propozuar në korrik, parashikonte faljen e plotë të detyrimeve deri në vitin 2011 dhe pas këtij viti do të falej 30% e detyrimit dhe gjobat e kamatëvonesat për ata që paguanin pjesën tjetër prej 70% të detyrimeve.

Në shtator, drafti i faljes u la pezull, pas kundërshtimeve të FMN-së, e cila kërkoi me forcë që të fshiheshin vetëm ato detyrime që ishin të pamundura për t’u mbledhur dhe të bëhej maksimumi për të arkëtuar detyrimet e mbledhshme. Edhe ministri i Financave, Ahmetaj, u tërhoq dhe tha se nuk ka falje të detyrimeve, por “nga viti 2010 deri në vitin 2014 do të ketë lehtësi për ata që paguajnë detyrimin e plotë. Ata që paguajnë detyrimet do të kenë lehtësi në interesa dhe në gjoba, ndërsa ata që nuk i paguajnë, do t’i mblidhet detyrimi me forcë me anë të gjithë instrumenteve”.

/monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>