Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Dokrrat e Kotzias dhe para-shteti i nazistëve të Agimit të Artë

Nga 27.al 0

Nga Gazmend Kapllani

Në Shqipëri po përhapet lajmi i intervistës së ish-ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias (pardje në një stacion radiofonik), sipas të cilit ka forca në Greqi (duke përfshirë edhe ushtrinë greke) qe nuk njohin kufijtë shtetërore të Shqipërisë.

Meqenëse njoh shumë mirë njerëz që kanë punuar me Kotzias po i lejoj vetes të them publikisht së Kotzias shquhet në përgjithësi për perceptimet e tij paranojake dhe komplotiste.

Në rastin konkret, sidoqoftë nuk thotë asgjë të re; plus thotë një gënjeshtër. Nuk thotë ndonjë gjë të re, sepse ata qe e njohin Greqinë e dinë se është një shtet me një para-shtet shumë kërcënues (me baza të forta në kishën greke, policinë, shërbimet sekrete dhe ushtrinë greke). Pjesë e këtij para-shteti janë edhe nazistët e Agimit të Artë.

Para-shteti në Greqi, i formuar kryesisht pas Luftës Civile greke në vitin 1949, ekziston ende, paralelisht me shtetin dhe ndonjëherë edhe brenda tij. Për këtë arsye, Greqia paraqet shpesh sjellje qe janë të vështira për t’u kuptuar për një shtet Europian normal.

Shteti nuk guxon të ndeshet me para-shtetin, edhe pse e mban nën kontroll atë, ngaqë kjo mund të shpinte në një lloj lufte civile të hapur apo të heshtur. Nuk ndeshet gjithashtu, sepse shteti “ndan” me para-shtetin, në një masë të madhe, dogmën e nacionalizmit supremacist.

Kotzias, thotë megjithatë një gënjeshtër të madhe për ushtrinë greke. Greqia nuk është juntë ushtarake që të bëj ligjin ushtria. Nëse dikush i hedh një sy hartave zyrtare të ushtrise greke aty duket qartë që kufijtë shtetërore të Shqipërisë njihen shumë mirë. Për më shumë, nëse ushtria greke nuk do njihte kufijtë e Shqipërisë nuk mund të jepte votën e saj për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Me pak fjalë Kotzias thotë dokrra.

Shigjetat e tij ishin drejtuar kryesisht kundër ministrit të Mbrojtjes, Panos Kamenos. Që të dy e urrejnë tashmë për vdekje njëri-tjetrin. Por, mes dokrrave Kotzias mund të thotë një të vërtetë shqetësuese. Domethënë le të nënkuptohet që para-shteti në Greqi po del jashtë kontrollit të shtetit dhe po përgatit agjendën e tij.

Askush nuk kërkoi shpjegime nga Kotzias për deklaratat e tij.

As ministri i Mbrojtjes, as ministri i Jashtëm, Aleksis Tsipras nuk dolën ta përgënjeshtrojnë. Një qeveri mish-mash që funksionon si mulli ere në shumicën e rasteve është lajm shumë i keq për Greqinë – vendi mund të zhytet në amulli nga çasti në çast.

Është lajm i keq edhe për Shqipërinë, sepse iniciativën për politikën e jashtme të Greqisë po e merr në mënyrë informale para-shteti, nazistët e Agimit të Artë dhe segmentet me të errëta të Kishës Greke.

Është një nga ato momentet që dikush, megjithëse s’beson tek Zoti, duhet të thotë “Perëndia na ruajt”…

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej