Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Dhjetë përplasjet e Presidentit Nishani me ministren Kodheli

Nga 27.al 0

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, gjate ceremonise se betimit tek Presidenti, Bujar Nishani, ne Presidence.

Nga viti 2013 e deri më sot janë shënuar të paktën 10 përplasje mes presidentit të Republikës Bujar Nishani me shumicën qeverisëse, lidhur me çështje të ushtrisë. Gazetari Roland Qafoku bëri publike në emisionin “Debati në Channel One” këto përplasje të cilat nisin qysh me godinën e SHQUP-it e deri tek mosdekretimi i gjeneral brigade Jeronim Bazo për një mandat të dytë si shef i Shtabit të Ushtrisë.

Përplasja 1

Pa e marrë ende detyrën, kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të PS deklaruan pas fitores së zgjedhjeve të qershorit 2013 se do t’ia rikthejnë ushtrisë godinën e SHQUP-it, të cilën PD e mori si seli të saj. Sipas tyre Presidenti Nishani ka patur konflikt interesi me Ministrinë e Mbrojtjes, sepse falë këtij kalimi do të përfitonte bashkëshortja e tij në privatizimin e godinës së vjetër të PD-së. Presidenti Nishani hodhi poshtë këtë akuzë duke e quajtur sulm politik dhe në fakt kjo akuzë nuk u vërtetua. Nga ajo kohë mazhoranca nuk ka bërë asnjë veprim për t’ia kthyer ushtrisë godinën që është seli e PD.

Përplasja 2

Më 7 mars 2014 ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli lëshoi urdhrin administrativ, sipas të cilit atasheu ynë në NATO kundëradmiral Kristaq Derveni duhet të kthehej në atdhe pas mbarimit të mandatit të tij. Presidenti Bujar Nishani deklaroi se ministrja i kishte marrë kompetencat duke e cilësuar këtë një akt politik. Më 21 mars 2014 gjykata pezulloi urdhrin për kthimin në Tiranë të Gjervenit. Ndërkohë emërimi i atasheut të ri në NATO solli largimin e tij nga detyra dhe kthimin në atdhe.

Përplasja 3

Presidenti Bujar Nishani në cilësinë e komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë dekretoi Jeronim Bazon shef të Shtabit të Përgjitshëm të Ushtrisë në 2013 pas largimit të Xhemal Gjunkshit. Por, vetëm një vit më vonë deklaroi se shefi i Shtabit kishte shkelur Kushtetutën e vendit në disa raste. Ky është rasti i parë, kur një president deklarohet i tillë për shefin e shtabit.

Përplasja 4

Më 12  mars 2014, teksa Ministria e Mbrojtjes ishte në pritje të firmosjes nga Presidenti i Republikës të Strukturës së Forcave të Armatosura dhe planit të përhapjes ose planit të vendosjes së FA, kjo gjë nuk ndodhi. Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi se ishin ndjekur të gjitha hapat ligjor dhe konsultativë, por Presidenti po e pengonte këtë procedurë.

Përplasja 5

Në 16 korrik 2015 Presidenti i Republikës refuzon të dekretojë gradimin gjeneral të Xhevdet Zenelit, një propozim i bërë nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Kreu i shtetit ka argumentuar se nuk e ka dekretuar gradën e lartë për Zenelin për probleme në të shkuarën e tij. Ndërkohë që Nishani kishte firmosur gradimin gjeneral të Nazmi Cahanit, Dedë Prengës, Vladimir Avdias.

Përplasja 6

Presidenti i Republikës ka denoncuar qeverinë dhe ministren Kodheli se i kanë marrë kompetencat me ndryshimet e reja për projektligjin e ushtrisë. Ishin një sërë kompetenca që për muaj me radhë në vitin 2015 u kthyen në lajm të parë në media, gjë që u cilësua si një debat i pastër politik.

Përplasja 7

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Spartak Braho i ka kërkuar ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli ndëshkimin e gjeneral brigade Pirro Ahmetaj këshilltar i Presidentit Bujar Nishani lidhur me deklaratën e tij kundër komisionit duke i cilësuar anëtarët e tij sigurimsa dhe banditë. Në fakt, pas disa javësh Ahmetaj kërkoi dorëheqjen dhe presidenti e firmosi, por më pas ai sërish u emërua këshilltar i Presidentit.

Përplasja 8

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani e cilësoi skandal atë që Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria po bënte me largimin nga ushtria të një numri jo të vogël ushtarakësh duke sjellë një problem social për shumë e shumë familje. Duke llogaritur sakrificën e tyre, por edhe pasojat e familjeve të tyre Presidenti Nishani kërkoi që ky shkurtim të anullohej.

Përplasja 9

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Çuko e cilësoi skandal të Presidentit që në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në javën e dytë të nëtorit këshilltari i tij, Pirro Ahmetaj, i dalë nga radhët e ushtrisë merrte pjesë në këtë mbledhje me uniformën dhe gradën e gjeneralit. Vetë Ahmetaj e ka cilësuar një tjetër lajthitje këtë akuzë.

Përplasja 10

Presidenti i Republikës nuk dekreton kërkesën e kryeministrit për një mandat të dytë të shefit të Shtabit të Ushtrisë, Jeronim Bazo. Sipas argumentit të kreut të shtetit, Bazo nuk ka bërë asnjë raportim te komandanti i përgjithshëm gjatë tre viteve që ka mbajtur detyrën e lartë të shefit të shtabit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>