Ka than' i moçmi: 

"Komunizma është një sëmundje e tmerrshme, si tërbimi i qenve dhe i ujqërve, është kolerë që nuk shkatërron vetëm trupin,por zemrën dhe shpirtin e njeriut."

- Mit'hat Frashëri

Deputeti Rakipi: Nuk kërkojmë pronat, por atdheun

Nga 27.al 0

Kjo është fjala që ka mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë ligjvënësi i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Aqif Rakipi.

Të nderuar kolegë deputetë,

Disa nga ju keni qenë në shtëpinë time.

Kemi kaluar orë bashkë dhe kemi biseduar gjatë.

Sot, ka ardhur dita t’ju pyes: A mendoni që kam nevojë për të marrë pronat e gjyshërve të mi në Çamëri?

Me disa prej jush kam udhëtuar jashtë shtetit, në shumë vende.

Pa pengesa e pa kufizime. Sot, edhe pa viza.

Ka ardhur dita t’ju pyes: A mendoni se kam nevojë për të marrë nënshtetësinë greke?

Me disa prej jush kam qenë në kështjella, në objekte kulti, në shtëpi të vjetra karakteristike. Disa i kam financuar dhe vetë.
Ka ardhur dita t’ju pyes: Amendoni se kam nevojë të kem edhe objekte të tilla në Çamëri?

Disa prej jush më njihni mirë.

Kur mendoj t’i them gjërat, i them troç, apo siç e ka gjuha jonë ndryshe; i them shqip.

Ka ardhur dita t’ju pyes: A mendoni se mund të më ndalojë ndokush të flas shqip?

Të nderuar deputetë,

Unë nuk kam nevojë për pronat në Çamëri.

Nuk kam nevojë për nënshtetësinë greke.

Nuk kam nevojë për kulturën e dikujt tjetër.

Por, nuk më ndalon dot askush që të flas shqip.

Dhe dua t’ju garantoj: Asnjë shqiptar i Çamërisë nuk i ka domosdoshmëri jetike këto.

Ajo që unë dua, si shqiptar i Çamërisë, është që të mos më mohohet të kem të drejtën të kem ato që më takojnë.

Dua sot ta keni të qartë të gjithë: Ne nuk kërkojmë prona. Ne kërkojmë atdheun tonë, vatrat tona.

Po jua them ndryshe; Çështja Çame nuk është e imja. Çështja Çame është e jona. Çështja Çame është Çështja e shqiptarisë.

Kush nuk e ka kuptuar, të dëgjojë Nolin e Konicën.

Nëse nuk e doni as kështu, po jua them më ndryshe.

Çështja Çame nuk është e jona. Çështja Çame është e çdo europiani.

Kush nuk e ka kuptuar, të dëgjojë Komisionerin Han.

Nëse nuk e doni as kështu, po e ndryshoj sërish.

Çështja Çame nuk është e një europiani, Çështja Çame është çështje e çdo njeriu.

Kush nuk e ka kuptuar, të lexojë legjislacionin ndërkombëtar.

Të nderuar kolegë,

Koha është të zgjedhim vetëm kaq; çfarë jemi?

Nëse jemi shqiptarë, europianë, apo thjesht njerëz, na takon të zgjidhim Çështjen Çame.

Nëse nuk jemi asnjë nga këto, përgjigjen po jua lë juve.

Faleminderit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>