Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Çfarë ndryshimi ka Rudina Hajdari nga Kujtim Gjuzi?

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Në thelb nuk kanë asnjë ndryshim. Të dy morën kohë aq sa u duhej të konsultoheshin me struktura partie, opozitarë dhe pa dyshim me miqtë ndërkombëtarë. Pasi bën këshillime të vështira, por prodhimtare vendosën të mbajnë apo marrin mandatin e deputetit.

Por, ndryshimet janë në motivet që i shtyjnë të dy ligjvënësit të pranojnë këtë barrë të rëndë për të mirën e Shqipërisë.

Rudina nuk e dogji mandatin, sepse donte ta digjte më parë, kur studentët bënin protesta. Ajo dëshironte të ishte udhëheqësja e tyre dhe premtoi t’i vinte flakën. Në atë kohë studentët nuk ia varën dhe bashkë me ta as miqtë ndërkombëtarë, të cilët mbetën vuv dhe nuk e thirrën që t’ia lagnin shkrepsen. Meqë askush nuk pyeti për këtë “vetëvrasje”, ajo për inat të botës nuk u “vra”.

Por, tani ndërron puna, sepse duke u “vetëvrarë” në grup si ato sektet e çuditshme amerikane që parashikojnë fundin e botës, ajo nuk bëhet dot lidere. Ka të tjerë që e lidhin këtë punë me vetting-un, por miqtë ndërkombëtarë nuk kanë thënë gjë.

Prandaj, ajo e mbajti mandatin për të mirën e Shqipërisë dhe propaganda na rrëfen se ditën e lindjes së Azemit e përjashtuan nga partia. Në fakt, nuk e përjashtuan nga asnjë parti, sepse ajo nuk është anëtare e saj, ndaj nuk të përjashtojnë dot, kur nuk bën pjesë.

Rudina për fatin e saj shumë të keq dhe tejet tragjik, ka gjasë ta njohë më pak të atin se shumë të tjerë që sot kanë dorëzuar mandatin. E njeh më pak, se ia vranë, pikërisht disa njerëz që sot janë në atë Kuvend. Babain me gjithë mend ia përjashtuan dy herë nga Partia Demokratike, por në vitin 1997, kur kërciste plumbi rrëzë veshit u kthye vetë në partinë që themeloi, sepse një kapiten nuk e lë anijen që po mbytet. Po ta kishte gjallë sot babën, Rudina do e shihte Gramoz Ruçin në arrati, jo t’i rrinte lepe-peqe, prandaj edhe ia vranë.

Por, çdo zgjedhje duhet respektuar, sepse marrëzia më e madhe është të bësh deputete fëmijën që të rimëshërosh atin. Dhe këtë marrëzi e ka bërë Lulzim Basha, i cili mund ta kuptoj kaq gjë përse djali i Maradonës nuk e ndriti apo djali i Krujfit nuk shkëlqeu. Në muzikë nuk flet njeri për djalin e Mozart, Franz Xaver Wolfgang Mozart, kompozitor e pianist që nuk la gjurmët e pashlyera të babës.

Sa për Kujtimin motivet janë më të thjeshta. Nuk të vjen më ky fat, kape fort, sikur me të rënë llotaria. Kumar është kjo jetë!

Qarkullojnë zëra se kemi një kandidat për deputet që nuk mban telefon, sepse ka borxhe deri në grykë dhe e marrin huadhënësit. Elektorati dhe miqtë ndërkombëtarë pyesin që nëse bëhet ligjvënës a do marrë telefon, fjala vjen që të diskutojë me ta për reformën zgjedhore…

Padyshim edhe ky deputet i opozitës në thelb nuk ndryshon nga Rudina Hajdari, sepse edhe ai për të mirën e Shqipërisë po punon.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej