Ka than' i moçmi: 

Gjysma e punës është mbaruar kur ajo fillohet me dëshirë."

Naim Frashëri

Çfarë fshihet pas ndërtimit të varrezave të luftës italo-greke?

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla*

Në zbatim të marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për “kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe rivarrimin e ushtarëve të rënë në luftën italo-greke të 1940-1941, në Shqipëri filluan punimet për gjetjen e kockave.

Kërkime do fillojnë në Prefekturat e Korçës e Gjirokastrës, respektivisht në Kalivaç të Pogradecit, Hormovë e Peshtan në Tepelenë, si edhe në Peshkëpi e Poshtme të Gjirokastrës. Gjatë luftës italo-greke janë vrarë zyrtarisht 7.948, por nuk dihet sa janë vrarë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas disa të dhënave vetëm ushtarë grekë që ishin nga ishulli i Kretës janë vrarë në Shqipëri 1.141 vetë. Një problem tjetër është se shumë ushtarë u plagosën në Shqipëri gjatë luftimeve, por vdiqën nëpër spitalet ushtarake greke, besoj se edhe kockat e tyre Greqia do i kërkojë në tokën shqiptare.

Nga shënimet e ushtarëve grek që shpëtuan mësohet për tmerret e luftës dhe varfërinë e fshatrave shqiptarë, shtëpi të rrënuara nga bombardimet. Ushtarët grekë endeshin nëpër fshatrat shqiptarë me të holla në dorë për të blerë diçka, por shitoret ishin bosh. Ushtari grek Stadhis Goçina do të shkruante në shënimet e tij: “Paraja nuk ka asnjë vlerë në fshatrat shqiptarë, dua të blej cigare, çaj, por asgjë s’mund të blej. Kërkova një pulë ta blej, pa e menduar se ku do e ziej, shqiptarët nuk m’i morën të hollat pasi ma dhanë pulën.”

Taqis Sisko shkruan: “Ushtria greke në shumë raste kërkonte ndihmën e fshatarëve shqiptarë për të prerë dru natën në pyje, me marrëveshje ose me kërcënime shqiptarët nga mosha 12-60 vjeç mblidheshin në mbrëmje në kampet e ushtrisë greke dhe niseshin në mal për të bërë dru. Nëse dikush largohej ai dënohej, Korça ishte larg dhe ishte i vetmi qytet afër këtyre fshatrave.”

Nga shënimet e ushtarëve grekë mësojmë se përballë tyre ishte një armik i padukshëm, ai i urisë, i qindra fshatrave të braktisur, shtëpi me llamba vajguri. “Për t’u ngrohur ushtarët grekë prishnin gardhet prej druri të shtëpive dhe presin pemët rreth tyre”, shkruan ushtari Thanasis Caros.

Qyteti i Ersekës, Korça, Përmeti dhe fshatrat përreth tyre ishin të bombarduar nga artileria e rëndë greke dhe italiane. Shumë shtëpi ishin rrafshuar tërësisht dhe ushtarët grekë pasi kishin përparuar shumë brenda territorit shqiptar kërkonin ndonjë shtëpi të rehatshme për t’u çlodhur.

“Ushtarët endeshin nëpër shtëpitë e fshatarëve për të gjetur grurë dhe misër për të ngrënë, kur gjenin ata i merrnin me forcë. Shpesh herë fshatarët shqiptarë ankoheshin në komandën e batalionit për këto grabitje”. Kështu do të shkruante ushtari grek Dhimitri Mikelidhis në librin e tij, “Nga Kreta në Shqipëri”, botuar më 1977.

Prej këtyre ushtarëve mësojmë se nuk kanë patur probleme për t’u kuptuar me vendasit shqiptarë, sepse në ushtrinë e tyre kishte ushtarë që vinin nga familjet arvanitase, të cilët e dinin gjuhën shqipe më mirë se greqishten. Leonidha Papadhima shkruan se kishte grekë nga Greqia Jugore, ata vinin nga familjet arvanitase, kështu nuk kishim probleme, kur trokisnin në shtëpitë e shqiptarëve.

Dhimosthenis Zadhes shkruan se kishte një shok, Tason, i cili ishte nga fshatrat e krahinës së Sulit dhe gjithnjë e vinim përpara për të biseduar me shqiptarët. Shpesh herë shqiptarët habiteshin që Tasos e fliste aq pastër gjuhën shqipe.

Dhimitrios Lukatos shkruan për dy shqiptarë që kishin dezertuar nga ushtria italiane dhe dëshironin të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Atëherë thirrëm dy ushtarë grekë që dinin gjuhën shqipe, sepse ishin arvanitas.

Sipas shënimeve të ushtarëve grekë ata në përgjithësi janë pritur mirë nga vendasit, komunikimi i tyre ka qenë miqësor dhe siç del nga shënimet e tyre nuk kanë patur vështirësi bisedimi, sepse kishte ushtar grekë që dinin shqip, vllahçe dhe turqisht.

Lufta italo-greko e vitit 1940-1941 është një luftë e veçantë, ajo ka disa karakteristika unike, të cilat janë shfrytëzuar qëllimisht për të nxitur urrejtje dhe pengesa jo midis dy ushtrive luftuese greke dhe italiane, por midis luftëtarëve grekë me shqiptarët.

Ushtarë grekë në Tepelenë
Ushtarë grekë në Tepelenë

Ligji i një lufte të paqes

Çdo qeveri greke pretendon se është në Luftë me Shqipërinë, por e vërteta është krejt ndryshe, sepse Shqipëria nuk i shpalli kurrë luftë Greqisë.

Në 10 Qershor 1940 Mbretëria e Shqipërisë kishte votuar pro ligjit që ia bashkangjiste këtë mbretëri Italisë. Por çudia është se Mbreti i Shqipërisë, Ahmet Zogu ishte në mërgim, kështu bie poshtë skenari se Shqipëria ishte Mbretëri me mbret funksional. Pra, Mbretëria e Shqipërisë pranon se është në luftë me shtete, të cilat janë në luftë me Mbretërinë e Italisë. Shpallja e luftës Greqisë prej Italisë automatikisht i binte të ishte në luftë edhe Shqipëria. Mbretëria e Greqisë më 10 Nëntor 1940 nxori dekretin numër 2636/40 mbi sekuestrimin e të gjitha pronave të armiqve të Greqisë. Pas kaq vitesh nuk më ekzistojnë Mbretëria e Italisë e Greqisë dhe e Shqipërisë, por kemi të bëjmë me Republika. Nënshkruesit e dekreteve nuk e gëzojnë më fronin Mbretëror, Italia dhe Greqia janë në paqe, ndërsa Greqia ende nxjerr kartonin e kuq të luftës Shqipërisë, megjithëse kurrë mes dy vendeve nuk është shpallur një luftë zyrtare. Kjo është fantazma e një lufte, e cila nuk është zhvilluar kurrë mes grekëve dhe shqiptarëve. Ndërsa nga ana tjetër dy kundërshtarët Italia dhe Greqia kanë mbi 50 vjet marrëdhënie të shkëlqyera, sikur mos të ketë ndodhur asnjëherë ajo luftë mes tyre.

Shqiptarët ishin pothuajse indiferentë në fushëbetejat midis dy ushtrive. Ajo luftë ka veçantinë e saj, sepse zhvillohej në një territor asnjanjës, në vendin e një populli tjetër. Për fat të keq lufta e vitit 1940-1941 midis Italisë dhe Greqisë është shfrytëzuar nga të gjithë qeveritë greke për të nxitur organizatat ekstremiste greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë. Në vend që grekët të këndojnë këngët e mikpritjes të popullit shqiptar në atë luftë, ata këndojnë këngën e motrës së vogël Vorio-Epiriote që italianët ja dhuruan Shqipërisë. Por, ushtarët grekë të asaj lufte kanë lënë shënime të vyera ku tregojnë të vërtetën, mikpritjen e shqiptarëve, të cilët u dhanë ujë e bukë në dimrin e ftohtë.

Ushtar grek në periferi të Korçës
Ushtar grek në periferi të Korçës

Ndërtimi i varrezave kushtëzim dhe nënshtrim i Shqipërisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë tregoi edhe një herë se politikanët, ministrat, deputetët shqiptarë u gjunjëzuan ballë trysnisë greke për do varre. Sot, ndërtimi i këtyre varrezave na duket si diçka normale dhe e shenjtë, por grekët kanë arritur të ngrenë tezën për edukimin e brezave të ardhshëm grekë se Shqipëria ka pushtuar Voriepirin (jugu i Shqipërisë) në luftën italo-greke. Të gjithë e dimë që po realizohen skenarë të tillë dhe heshtim, heshtim përpara tragjedisë që po na troket në derë. Nënshkrimi i marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndërtimin e dy varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë ishte vënë si kusht për ratifikimit nga ana e Kuvendit të Republikës Greke të MSA-së mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Kushtin për bllokimin e MSA-së për shkak të ndërtimit të varrezave e ka deklaruar atë kohë ish-nënkryetari i Kuvendit të Greqisë Jorgos Surlas.

Lind pyetja: “Çfarë kushti do të verë Greqia për pranimin e Shqipërisë në BE?”

Mos po përgatitet terreni për shpalljen e autonomisë së Vorio-Epirit?

Përse Greqia nuk kërkon ndërtimin e varrezave të Ushtrisë Demokratike Greke (DSE) që udhëhiqeshin nga komunistët të vrarë në luftën qytetare 1946-1949 në territorin e Shqipërisë, në malin Gramoz?

Arkëmorte të varrezave greke
Arkëmorte të varrezave greke

Rreth 10 mijë komunistë grekë mund të jenë vrarë në malin Gramoz

Në vitin 1946-1949 u zhvillua lufta qytetare në Greqi për pushtet midis forcave të djathta (IDEA) që ndihmoheshin pa rezerva nga Britania e Madhe, SHBA dhe forcave të majta të njohura Ushtria Demokratike Greke (DSE). Në përfundim të kësaj luftës qytetare (1946-1949), u vranë 41.970 ushtarë të Ushtrisë Demokratike Greke që udhëhiqej nga komunistët, u dorëzuan 24.300, u kapën rob 23.950. U larguan nga Greqia për në vendet e Evropës, 70 mijë njerëz, pleq, gra dhe fëmijë.

Mëgjithëse të përçarë nga grindjet e brendshme, ushtarët e Ushtrisë Demokratike Greke (DSE) bënë një qëndresë të madhe, por pa rezultat në malet e Vicit e të Gramozit, pak më në jug të kufirit me Shqipërinë. Edhe sot e kësaj dite, Gramozi ka një ngastër pa bimësi në terrenin e tij të pyllëzuar, ku ushtria mbretërore(IDEA) pati përdorur napalm, e para herë që ushtarët amerikanë mundën të vlerësonin efektet e kësaj lënde djegëse.

Ushtria e majtë DSE e izoluar kishte përfituar ndihmë nga Shqipëria dhe vendet e tjera komuniste disa mushka me pushkë dhe dhjetëra topa. Strategjija e izolimit te forcave të Ushtrisë Demokratike Greke në male ishte e gabuar dhe fatale. Ndërhyrja e aviacionit amerikan për asgjesimin e forcave të qëndresës ishte vendimtare. Forcat e djathta (IDEA) të mbretërisë greke kishin marrë nga aleatët e tyre Anglia dhe SHBA ndihma ushtarake me vlerë 353, 6 milionë dollarë, ku hynin 159.922 armë të vogla dhe 4.130 mortaja e topa…

Pra, duke parë që gjatë luftës qytetare greke 1946-1949 janë vrarë në tokën shqiptare qindra apo mijëra ushtarë grek, atëhere pse qeveria greke nuk kërkon të ndërtohen varreza edhe për këta ushtarë që u vranë për ideologji dhe luftë për pushtet?!

Varrezat shqiptare të zhdukura në Selanik

Në shekuj Selaniku ka qenë i banuar nga shumë raca njerëzish si grekë, shqiptarë, turqë, hebrenj, sllavë e të tjerë, të cilët kishin varrezat e tyre në këtë qytet. Ligji grek përcakton që të vdekurit duhet të kenë varr të paguar nga familjarët e tyre. Kështu bashkësia shqiptare që për shekuj pat jetuar dhe punuar në qytetin e Selanikut kishte varrezat e tyre në një kodër. Por në vitet 1982-1986 qeveria e asaj kohe urdhëroi që të zhdukeshin varrezat shqiptare dhe mbi ato varre të ndërtohej një lagje me banorë të gjallë. Sot, ajo lagje quhet “Triandria”. Për çudi ende sot e kësaj dite nuk ka interesim nga qeveria shqiptare se ç’u bë me eshtrat e të vdekurve. Gjatë kërkimeve të mia historike në Selanik nuk gjeta asnjë dokumentacion që lagja Triandria kishte qenë varrezë e shqiptarëve. Në vitin 2003 ndesha në librin e Artë të Adresave të Selanikut një hartë ku si varrezë të shqiptarëve përcaktohej qendra Maqedoniko në lagjen e Neapolit. Por nga dëshmitë e njerëzve mësova se përpara kjo qendër kishte qenë varrezë e rumunëve dhe jo e shqiptarëve, pavarësisht se edhe kjo varrezë e rumunëve ishte prishur në vitet 1974-1976, me urdhër të qeverisë greke. Për përcaktimin e saktë të varrezave të shqiptarëve në Selanik më ndihmoi djali i motrës i Avni Rustemit, i cili në ato varreza kishte patur varrin e prindërve. Në varrezat shqiptare në Selanik ka patur varrin edhe ish-kryeministri i Shqipërisë Hasan Bej Prishtina, eshtrat e të cilit u kthyen në Shqipëri në vitin 1976. Janë të vetmet eshtra që nuk i zhdukën grekët gjatë prishjes së varrezës shqiptare. Po kështu një dokument për ekzistencën dikur të varrezës së shqiptarëve në lagjen Triandria është botuar në Gazeta e Athinës në shtator të vitit 2002, ku Shahin Qenan Mesareja nipi i gjeneralit turk me kombësi shqiptare Hasan Tahsin Pasha deklaron se varri i Hasan Tahsin Pashës ka qenë në varrezat shqiptare në Triandria në Selanik, të cilat janë zhdukur. Gjenerali Hasan Tahsin Pasha ka shërbyer komandat i ushtrisë turke në Greqinë e Veriut, i cili më 26 tetor të vitit 1912 u dhuroi grekëve qytetin e Selanikut mes pretendimeve edhe të ushtrisë bullgare. Shteti grek mund të zhdukë varrezat e çdo kombi jogrek, ndërsa Shqipëria duhet të nderojë ushtarët grekë që janë vrarë në Shqipëri si pushtues në luftën italo-greke të vitit 1941.

*Arben Llalla është historian

27.al disponon emrat e rreth 7.996 grekëve të vrarë gjatë luftës italo-greke në Shqipëri

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej