Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Çelja e negociatave me BE, ja rekomandimet për Shqipërinë

Nga Klodiana 0

Këshilli i Stabilizim Asocimit ka publikuar  rekomandimet ndaj institucioneve të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, në një kohë kur pritet vendimi për datën kur hapen negociatat për BE.

REKOMANDIMET

1- Thekson mbështetjen e tij të plotë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kur reformat në fushat kryesore të jenë të zbatuara e të pakthyeshme; mbështet çeljen e negociatave për anëtarësim, në dritën e përparimit kuptimplotë dhe në një fazë bindëse të zbatimit të këtyre reformave; beson fort se çelja e negociatave do të ofrojë një nxitje të fuqishme për miratimin dhe zbatimin e paketës së plotë të reformave të lidhura me BE-në;

2- I bën thirrje, për rrjedhojë, Komisionit t’i rekomandojë Këshillit çeljen e negociatave dhe Shqipërisë, që të sigurojë një përparim të mëtejshëm të qëndrueshëm e të gjithanshëm, sa u përket pesë prioriteteve kyçe, që nevojiten për fillimin e negociatave;

3- I bën thirrje Shqipërisë të zbatojë në mënyrë të shpejtë reformën e gjithanshme në drejtësi dhe të sigurojë kushtet për zgjedhje të përgjithshme të lira e të ndershme, zbatimin e plotë të ligjit për integritetin e personave të zgjedhur dhe/ose emëruar në poste publike; të vijojë me zbatimin e masave për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e kanabisit;

4-Përgëzon miratimin njëzëri të ndryshimeve kushtetuese lidhur me reformën në drejtësi, më 22 korrik 2016 dhe qëndrimin mbështetës të dëshmuar nga të gjithë anëtarët e Kuvendit me këtë rast

5- I bën thirrje Shqipërisë të ruajë këtë ritëm pozitiv reformash dhe të miratojë e zbatojë me shpejtësi të gjitha ligjet e nevojshme për zbatimin tërësor e në kohë të reformës në drejtësi; vëren se miratimi i këtyre ligjeve, ngritja e institucioneve përkatëse dhe nisja e zbatimit do të vlerësohen nga Komisioni, në këndvështrimin e çeljen e negocimit të Kapitullit 23, “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, si dhe të Kapitullit 24, “Drejtësia, liria ,dhe siguria”, që, në përputhje me praktikën e vendosur, duhet të hapen të parët dhe të mbyllen të fundit në procesin e negociatave; thekson se reformimi tërësor dhe i gjithanshëm i sistemit të drejtësisë është thelbësor, për të siguruar efikasitetin, profesionalizmin, pavarësinë dhe llogaridhënien në të gjithë sektorin – nëse zbatohet plotësisht, ajo do t’iu sjellë përfitime të mëdha qytetarëve shqiptarë dhe do të rritë besimin e publikut në sistemin gjyqësor e, përgjithësisht, në të gjitha institucionet shtetërore, si dhe një ndjenjë drejtësie

6- Mirëpret vazhdimësinë në zbatimin e reformës së administratës publike dhe reformës së menaxhimit të financave publike, me qëllim zhvillimin e administrate publike funksionale; bën thirrje për përparim të mëtejshëm në forcimin e zbatimit të ligjit për nëpunësin civil, përfshi në nivelin e pushtetit vendor, për të siguruar një shërbim publik profesional e të depolitizuar;

7- Thekson se anëtarësimi në BE duhet të jetë proces gjithëpërfshirës, thekson edhe njëherë se dialogu politik e bashkëpunimi ndërpartiak është me rëndësi maksimale për suksesin e këtij procesi reformash dhe për procesin e anëtarësimit në BE, në përgjithësi; thekson nevojën për përfshirjen e shoqërisë civile në procesin e reformave dhe nevojën për më shumë transparencë dhe mbikqyrje parlamentare

8- Shpreh kënaqësinë e tij që Shqipëria ndërmori hapa të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, siç është pranuar, mes të tjerave, nga takimi i 8-të i Këshillit të Stabilizim-Asociimit; përgëzon miratimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve; sidoqoftë, bën thirrje për forcimin edhe më tej të përpjekjeve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe për mbylljen plotësisht të hendekut në zbatim; iu bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të vijojnë me zbatimin e ligjit për integritetin e personave që do të zgjidhen a emërohen në poste publike dhe të forcojnë procesin e kontrollit në dritën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe të finalizojnë me proces të rregullt ligjor hetimet në vazhdim

9- Kujton se një reformë e gjithanshme e sistemit të drejtësisë është një instrument kryesor për luftën kundër krimit dhe korrupsionit; vërën se nivelet e perceptuara të korrupsionit në vend kanë mbetur të larta dhe se reformat e zbatuara nuk i kanë dhënë ende plotësisht rezultatet e dëshiruara; thekson, për rrjedhojë, se mbetet shumë për t’u bërë, veçanërisht, me qëllim zhvillimin e një historiku efektiv hetimi, ndjekjeje penale dhe dënimi përfundimtar, në rastet e korrupsionit në nivelet e larta dhe krimit të organizuar;

10- Mban parasysh operacionet lidhur me asgjësimin e fushave të kanabisit dhe uljen në përgjithësi të numrit të bimëve të mbjella, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndërkufitar, konkretisht, me autoritetet italiane, për parandalimin dhe eliminimin e veprimtarive të mbjelljes së kanabisit; bën thirrje për aksione të vazhdueshme, konstante dhe të forta të zbatimit të ligjit, që synojnë çrrënjosjen tërësore të krimeve të lidhura me drogën dhe të gjitha llojeve të tjera të krimit të organizuar

11- Thekson se sigurimi dhe zbatimi i plotë i kushteve për zgjedhje demokratike është po aq thelbësor për ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të BE-së; i bën thirrje komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dhe autoriteteve shqiptare të sigurohen që reforma të zbatohet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, duke zgjidhur problemet e dala në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve parlamentare, që do të zhvillohen në mes të vitit 2017; i bën thirrje Parlamentit shqiptar të miratojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor deri në fund të vitit 2016

12- Iu bën thirrje autoriteteve shqiptare të kërkojnë përmirësim të vazhdueshëm të standardeve që kanë të bëjnë me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut; thekson nevojën e miratimit të Ligjit për Pakicat, që siguron mosdiskriminim, të drejta dhe mbrojtje të barabartë, integrim dhe pjesëmarrje të plotë të të gjitha pakicave në jetën publike shqiptare

13- Iu bën thirrje të gjitha palëve të punojnë së bashku, me qëllim krijimin e një mjedisi që nxit lirinë e mirëfilltë të medias dhe lirinë e shprehjes, ndërkohë që shmang çdo lloj censure në media

14- E inkurajon Shqipërinë të vazhdojë në rrugën e reformave të ndërmarra në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit, që, po ashtu, ka kontribuar për përmirësimin e renditjes së Shqipërisë në Indeksin e “Doing Business 2016”

15- E nxit Shqipërinë të ruajë rolin e saj proaktiv e konstruktiv në rajon; është i kënaqur me afrimin e mëtejshëm me Serbinë; kujton se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabiliteti rajonal janë elemente thelbësore të proceseve të Stabilizimit

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>