Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

Britania do të mikpresë Samitin për Ballkanin Perëndimor në 2018

Nga Media 0

Nga Boris Johnson

 

Shkrim autorial nga Sekretari Britanik për Punë të Jashtme Boris Johnson me rastin e vizitës së tij në Kosovë.

Vizita ime e parë në Ballkan, si Sekretar i Punëve të Jashtme, vjen në një moment veçanërisht prekës. Të jesh në këtë cep të Evropës më 11 nëntor, përvjetori i 98-të i përfundimit të Luftës së Parë Botërore – është t’i kujtosh vuajtjet dhe shpresat e shkatërruara të asaj kohe tragjike.

Disa njerëz pyesin se çka do të thotë largimi i pashmangshëm i Britanisë nga BE-ja për Ballkanin – dhe këtu unë mund t’ju ofroj siguri. Vendi im po e lë BE-në, por prerazi nuk e po lëmë Evropën.

Përkundrazi, qëllimi ynë do të jetë forcimi i lidhjeve tona me miqtë tanë evropianë, duke përfshirë edhe Ballkanin. Pasi ta lemë BE-në, dua që Britania t’i rrisë ambiciet e politikës së saj të jashtme dhe të bëhet edhe më shumë aktive në skenën botërore.

Në këtë udhëtim, unë do të vizitoj Beogradin, Prishtinën, Zagrebin, Valletën dhe Pragën. Të gjithë ne ndajmë të njëjtat vlera dhe ballafaqohemi me kërcënime të ngjashme, duke filluar nga krimi i organizuar e deri tek terrorizmi dhe radikalizmi.

Ne së bashku përballemi me këto probleme, dhe këtë e bëjmë në bazë të marrëdhënies që kemi prej shumë shekujsh. Perandori Konstantin u lind në Ballkan, por ai u kurorëzua Perandor në Jork në veri të Anglisë.

Jam krenar për rolin që Britania ka luajtur në Ballkan. Në vitet  90-të, ne u përqendruam në stabilizimin e rajonit dhe sjelljen e paqes, duke bërë zgjedhje të vështira, me të cilat e di se jo të gjithë u pajtuan. Sot, Ballkani Perëndimor është larguar prej ditëve të konfliktit dhe jemi duke punuar me ju për të siguruar që këto përfitime të mos kthehen mbrapsht.

Ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të ndihmuar. Kjo është arsyeja pse me kënaqësi po ju njoftoj se Britania do të jetë mikpritës i Samitit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2018. Samiti do të bëjë bashkë liderët nga rajoni dhe e gjithë Evropa për të ofruar qëllimet tona të përbashkëta të sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit.

Britania do të vazhdojë t’i ndihmojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre euro-atlantike. Kjo është koha e vitit kur publikohet raporti vjetor i Komisionit Evropian për zgjerimin. Askush nuk befasohet nga thirrjet e tij për më shumë hapa për t’i hapur ekonomitë kombëtare dhe për ta përmirësuar respektimin e sundimit të ligjit. Në fund të fundit, vendet e rajonit i kanë përcaktuar këto qëllime vetë.

Mbretëria e Bashkuar është në gjendje t’ju ndihmojë në arritjen e këtyre qëllimeve. Jemi duke e shtuar mbështetjen tonë praktike për përpjekjet tuaja, duke u mbështetur në kompanitë britanike dhe në asistencën teknike që mund ta ofrojmë. Mbretëria e Bashkuar ka ekspertizë të klasit botëror, duke përfshirë reformën rregullatore, sipërmarrjen, inovacionin dhe përmirësimin e klimës së biznesit.

Sigurisht, ne i ndajmë bashkë si kërcënimet ashtu edhe mundësitë. Jemi të prekur nga lufta e kobshme civile në Siri, e cila ka nxitur migrimin dhe fuqizimin e terroristëve. Ne nuk mund të përballemi me këto sfida të vetëm; ne duhet të punojmë së bashku, të ndajmë informacione dhe të mësojmë nga njëri-tjetri. Dëshirojmë të ndërtojmë partneritet me ju në këto fusha, dhe unë mirëpres diskutimin e mëtejshëm gjatë vizitës sime.

Në Prishtinë do të diskutoj me udhëheqësit e Kosovës mendimet e tyre mbi të ardhmen e vendit, duke përfshirë edhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë – që me siguri se është detyra më e rëndësishme nga të gjitha. Unë do prezantoj një program të ri nga Fondacioni Westminster për Demokraci, i projektuar për ta ndihmuar forcimin e demokracisë më të re në Evropë. Do të takoj edhe ata nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga Kosova të cilët janë duke punuar së bashku në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionin dhe radikalizmin, si dhe trashëgiminë e hidhur të viteve 90-të.

Dhe së fundi, mirëpres hapjen e ambasadës së re britanike në Prishtinë – një simbol i dukshëm i angazhimit tonë për miqësinë me Kosovën dhe popullin e saj, të farkëtuar në luftë, por të ushqyer në paqe. Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë shumë i rëndësishëm për Mbretërinë e Bashkuar, dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar suksesin tuaj.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>