Ka than' i moçmi: 

"Çlirim i një populli nuk do të thotë liri e tij duke skllavëruar një tjetër."

Faik Konica

Bleta punëtore në arat me hashash

Nga 27-shi 0

Nga Enkel Demi

Hashashi ka aromë të fortë dhe e tërheq bletën, ndaj ajo e përfshin në prioritetet e saj për pjalmim. Kështu që fillimisht merr rrugën në arat e cannabis, më pas planifikon pemët frutore dhe lulet e tjera. Bleta, meqenëse kryeministri ynë e di fort mirë që është punëtore, kur pjalmon hashashin bëhet dru. Për pasojë, jo vetëm harron ta bëjë punën si duhet në pemët frutore, por në gjendje high i del nga mendja të shkojë në koshere. Ndodh që nuk prodhohet mjaltë, kurse shoqatat e bletërritësve për këtë vit raportojnë një humbje prej 58 milionë euro. Mollët e Korçës dalin të tëra si fytyra e Baba Vangës dhe janë vërvitur në kanal.

E gjithë kjo histori duket sikur është shkëputur nga tregimet humoristike të Aziz Nesin, por në fakt është ajo çka ndodh në Shqipërinë e sotme, e cila po bie copa-copa, falë vizionit qeveritar për të injektuar para droge në ekonomi.

Këto ditë jua rrëfeva këtë histori disa miqve të huaj e për t’u treguar patriot nuk u thashë që ngjante në mëmëdheun tonë, sepse sipas porosisë së zotit kryeministër nuk shahet atdheu jashtë shtëpisë, se është turp i madh. Fillimisht mysafirët e mi të jashtëm mbetën si vuv, më pas u shkulën së qeshuri, madje më thanë që një ndodhi të tillë duhet ta shkruaj, ta bëj skenar filmi, pasi është shumë qesharake. Sak kjo është; qesharakja!

Qysh kur kanë ardhur në pushtet socialistët tmerre të mëdha janë përcjellë në publik me një tis humori dhe sportivitet hokatar sa rrëfyesit të duken budallenj. Kur në Kuvendin e Shqipërisë raportohej rënia e një avioni në plazhet e Divjakës, askush nuk besoi, por u fol për dezifektim kundër mushkonjave, madje lajmësi u quajt i luajtur mendsh. Pasi u qesh me të madhe për ca ditë, pak nga pak na mbiu një piper me qëllime turistike dhe në fund e vërteta doli në shesh. Më pas çështja e këtyre avionëve u bë pjesë e bjerraditës së zakonshme. E gjeje në Labëri, si e gjeje në Ishëm. Pista të mira, të investuara afër magazeve. Edhe për bunkerët, magazinat, pallatet e pashitura të mbushura ding me drogë, lajmësi sërish u vlerësua i marrë, derisa sot i kemi si kërpudhat pas shiut në qytetet më të mëdha të Shqipërisë.

Mund të rreshtosh bëma të këtilla plot qyfyre, teksa vë re që shkrihen komisariate sikur me qenë akullore apo kapen tonelata drogë sikur me qenë mullar me kashtë. Naçut që merren me kësi punësh qahen se ka rënë çmimi, ndaj tregtarët e enëve të kuzhinës thonë se u është rritur shumë shitja e një pajisje të vetme që heq ajrin e ushqimeve, kur i fut në qese (sottovuoto quhet procesi në gjuhën italiane). Djemtë e kryejnë këtë punë dhe e magazinojnë mallin ose e groposin. Pak e shumë si puna e kusive me presion për ata që grabisin bankat.

E fundit, në mes këtyre ndodhive gazmore, është bleta punëtore, e cila për ironi të fatit është dhe çmimi më i lartë qeveritar që u jepet punëtorëve të zellshëm të ekonomisë shqiptare. Natyrisht, për këtë vit duhet të çmojmë me këtë çmim kaq të lartë kultivuesit e hashashit, përpunuesit e tij dhe në fund shpërndarësit, sepse ia kanë dalë mbanë që ta bëjnë bletën pjalmuese selektive, por në të njëjtën kohë ta sjellin kaq shumë në qejf që të dalë kundër natyrës së saj, të harrojë udhën për në koshere.

Padyshim që edhe në këtë rast lajmësi është i rrëshkitur nga fiqiri, ndërsa punët e qeverisë dhe rritjes së saj ekonomike shkojnë mbroth. Nëse i bie mohit kësaj të vërtete je thjesht qesharak si në tregimet e Aziz Nesinit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej