Ka than' i moçmi: 

"Ja sot në Shqipni nuk të pvetë kush shka je, por si dukesh, as nuk don ta dijë kush sa pare të ban gjaku, por sa pare ke në bankë"

- Anton Harapi

Arben Llalla: Ja përse e quajta “lëtyrë” Kastriot Islamin

Nga 27.al 0

Kur kam shkruar për “Lëtyra Kaç’ Islami” nuk pata parasysh deklaratat e tij politike, por veprimet që ai ka bërë në dëm të kombit shqiptar. Më 22 dhjetor 2004 në Tiranë ministri i jashtëm i Shqipërisë nënshkroi një marrëveshje me ministrin e Federatës Serbe dhe Mali i Zi, Vuk  Drashkoviç, ku Republika e Shqipërisë e njihte Kosovën territor të Serbisë. Atë periudhë pati shumë reagime të ashpra ndaj veprimit të paprecedent të ministrit Kastriot Islamit. Shumë intelektualë shqiptarë reaguan me letra të hapura. Në atë kohë për turpin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje nga Kastriot Islami reaguan ashpër ministri i mbrojtjes Pandeli Majko dhe ministri i drejtësisë Fatmir Xhafaj.

Historia nuk fal, faktet janë kokëforta dhe përballë çdo lloj politikani, intelektuali apo akademiku duhet të përkulet para tyre.

1

Më poshtë po sjellim reagimet e personaliteteve te ndryshme pas kësaj ngjarje të pzakontë:

Letër e hapur intelektualëve dhe kastës politike të Shqipërisë

Logjika e profiterit
Shoqëria shqiptare këndej e andej murit tragjik, duhet t’i kuptojë sinjalet se të merresh ende me veten, do të thotë se nuk mendon për të ardhmen e brezave. Shpesh na mungoi guximi dhe lejuam që me fatin tonë të merren të tjerët. Nuk ditëm të krijojmë miq as të krijojmë aleanca. Shoqërisë shqiptare i mungon mendimi i vet politik. Nuk e krijoi elitën intelektuale, as nuk i përkrahu sa duhet vlerat e veta shpirtërore. Pranoi logjikën e profiterit, dhe ky është rrënimi i kodit tonë etik. “Ji i sinqertë ndaj vetes”, thoshte Shekspiri. Mbi këtë maksimë Xhorxh Oruelli ngriti konceptin e ndershmërisë: shkrimtari (lexo dhe akëcili njeri) duhet të pranojë vetëm të vërtetën. E, e vërteta jonë është dinjiteti. Harrojmë se vjen koha kur duhet të kapërcehet hendeku i krijuar nga padrejtësitë e të tjerëve, që u morën me ne shkaku i pazarllëqeve të tyre. Kjo është çështje e vështirë edhe për popujt që kanë traditë të mendimit politik.

Dokumenti i nënshkruar nga zotërinjtë Kastriot Islami, Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Vuk Drashkoviç, Ministër i Punëve të Jashtme të Unionit Serbi-Mali i Zi, na frikëson se në kurriz të Kosovës vazhdon të bëhet tregti si në të kaluarën. Nuk na habit z.Vuk Drashkoviç, na tmerron gjesti i z.Kastriot Islami, i cili ka pranuar që Kosova të shikohet nën ombrellën e Unionit Serbo-Malazez, do të thotë se në rajonin tonë të mos ketë qetësi. Mu për këtë kërkojmë nga Parlamenti Shqiptar të shqyrtohet gjesti i pamatur i Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z.Kastriot Islami. Kosova, megjithatë, nuk është Afrikë. 
Prishtinë, 11.03.2005
Me nderime,
Akademik, Ali Podrimja
Luan Mulliqi, drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës
Akademik, Rexhep Ferri
Dr. Basri Çapriqi, kryetar i PEN-it të Kosovës

2

Nuk është superskandal, por një tradhti renegatësh”
Sylejman Aliu

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami, ka nënshkruar “pa e lexuar” marrëveshjen e Beogradit për njohjen e plotë të Unionit Serbi-Mali i Zi me Kosovën brenda tyre. Në Shqipëri qeveritarët këtë tradhti e quajnë “gabim teknik”, kurse të tjerët e quajnë skandal dhe superskandal, duke u treguar më të butë ndaj tradhtisë! Mos i pyet renegatët, sepse ata shpalohen vetë. Por edhe pas pyetjeve, edhe pas shpalimit të tyre renegatë, pasojat rrjedhin në mënyrën më hakmarrëse. Nuk është hera e parë që konstatohet se qeveria Nano është fund e krye renegate dhe kundërshqiptare. Çfarë duan pas gjithë këtyre fatkeqësive që na kanë shkaktuar? Duan ta zhbëjnë edhe Kosovën, lirinë e saj dhe mundësinë historike të pavarësisë? Ministri i Jashtëm, i dha me nënshkrim Drashkoviçit se edhe Shqipëria e njeh Unionin Serbi-Mali i Zi me gjithë Kosovën brenda tyre! Tre muaj kjo qeveri renegate e Shqipërisë e mbajti fshehtë këtë tradhëti të pashembullt. Vetëm kur media zbuloi këtë akt renegatësh qeveritarë, u ngritën dhe thanë se paskan bërë “gabim teknik”, kur e kanë nënshkruar. Nuk e paska lexuar? Si mund të shpjegohet kjo dhe ky arsyetim i këtij diplomati, kur nënshkruaka dokumente të tradhtisë, pa i lexuar fare përmbajtjet e tyre? Rivalët politikë në Shqipëri këtë akt nuk e quajnë me emrin e vërtetë të tradhtisë dhe të renegatizmit, por e quajnë skandal dhe ndonjëri nga ta edhe superskandal. Nuk dihet saktësisht se ç’mendojnë këta kur e quajnë skandal ose superskandal: nënshkrimin e një dokumenti të tillë për interesa ripushtuese të Beogradit, apo e quajnë skandal ose superskandal se pse kjo qeveri mercenare e paska mbajtur fshehtë këtë nënshkrim të palejueshëm në dëm të Kosovës, në dëm të gjakut të derdhur dhe në dëm të të ardhmes së saj?!

12/03/2005

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej