Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Ambasadorja gjermane apel qeverisë: Rregulloni transparencën në prokurime

Nga Klodiana 0

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Susanne Schütz, në një intervistë për “Monitor”, tha se investitorët kanë besim tek procesi i Vettingut, por paralelisht duhet të merren masa edhe për sa i përket prokurimeve publike. Sipas saj, ka nevojë për më shumë transparencë sa u përket procedurave të prokurimeve publike, apo edhe për raporte të paqarta pronësie në objekte potenciale investimi.

Rastin e prokurimeve Schütz e lidh edhe me ambicien e Shqipërisë drejt BE-së, duke theksuar se reagimi i Komisionit për ligjin “Për Teatrin”, tregon standardet që duhet të aplikojë sot Shqipëria. Nga ana tjetër, ambasadorja nënvizon se ka vend për të parë edhe mangësitë në moralin e pagesave të detyrimeve në rastin e kontratave publike, të cilat nuk ndikojnë pozitivisht në imazhin e Shqipërisë si vend investimesh.

A mund të kemi një koment mbi momentin ku ndodhet sot Shqipëria në aspektin ekonomik, ambicies drejt Bashkimit Europian, progresi dhe sfidat?

Anëtarësimi në Bashkimin Europian nënkupton që secili prej vendeve kandidate të marrë përsipër të gjithë inventarin normativ dhe ligjor të unionit – të ashtuquajturin acquis communautaire. Këtu bëjnë pjesë krahas standardeve ligjore dhe juridike, edhe kapitujt e rëndësishëm për ekonominë, sikundër janë ato mbi prokurimet publike, të drejtën e konkurrencës apo mbrojtjen e konsumatorit. Shqipëria ka bërë ndërkohë hapa përpara në këta sektorë – kjo edhe me mbështetjen gjermane dhe europiane. Megjithatë Shqipëria ka përpara vetes ende detyra të mëdha për të përmbushur. Pozicionimi i Komisionit të Bashkimit Europian lidhur me ligjin për Teatrin Kombëtar, për shembull, ilustron standardet që duhet të aplikohen që sot në sektorin e prokurimeve publike në Shqipëri.

Cilët janë disa nga sektorët që kanë më shumë potencial në këndvështrimin tuaj dhe që mund të tërheqin investitorët e huaj? Çfarë përshtypjesh merrni nga investitorët gjermanë për Shqipërinë lidhur klimën e biznesit në vend, çfarë aspektesh kërkojnë përmirësim?

Shqipëria ka një potencial të madh zhvillimi në shumë fusha – këtu bëjnë pjesë turizmi, energjia e gjelbër, por edhe bujqësia dhe sektori i shërbimeve. Por në të gjithë këta sektorë është njësoj e rëndësishme që të krijohen kushtet e duhura të përgjithshme për investitorë potencialë – qofshin këta vendas apo të huaj. Dhe pjesë e këtyre kushteve janë para së gjithash siguria ligjore, transparenca dhe një administratë funksionale, eficiente dhe e pakorruptuar. Në komunikimin tim me investitorë gjermanë procesi i Vetting-ut në drejtësi, i cili ka nisur tanimë në mënyrë të suksesshme, ka gjetur vlerësimin e tyre.

Ai forcon besimin në shtetin ligjor, duke kontribuuar kësisoj në një masë të konsiderueshme në rritjen e atraktivitetit të Shqipërisë si vend investimesh. Në këndvështrimin e komunitetit gjerman të biznesit, këto reforma duhet domosdoshmërisht të vijojnë të zbatohen. Sepse kemi ende sipërmarrje nga Gjermania, pra investitorë potencialë për Shqipërinë, që ankohen për mangësi në politikën e informimit dhe në transparencë sa u përket procedurave të prokurimeve publike, apo edhe për raporte të paqarta pronësie në objekte potenciale investimi. Nga ana tjetër, edhe mangësitë në moralin e pagesave të detyrimeve në rastin e kontratave publike nuk ndikojnë pozitivisht në imazhin e Shqipërisë si vend investimesh.

Shqipëria ka ndryshuar fokusin e saj nga turizmi masiv drejt atij elitar, pra të pasurve, duke aplikuar edhe një paketë lehtësuese për hotele të kësaj kategorie. A mendoni se jemi gati për këtë profil turisti dhe a është ky një turizëm i qëndrueshëm?

Në sektorin e turizmit, Shqipëria ka sigurisht një potencial të madh. Por është gjithashtu e qartë që ajo gjendet në një treg global me konkurrencë të fortë. Atraktiviteti i Shqipërisë si destinacion turistik mund të rritet nëse përmirësohen infrastruktura në tërësi – dhe këtu përmend rrugët dhe autostradat, menaxhimin e mbetjeve, ndërtimet pa leje, kanalizimet – dhe cilësia e shërbimeve. Gjermania e mbështet Shqipërinë në këtë kontekst me projekte të shumta – si për shembull me zhvillimin e koncepteve për turizmin e qëndrueshëm në zonat malore.

Gjermania ka ndihmuar qeverinë me reformën në sektorin e ujit. Si e shihni ecurinë e deritanishme dhe çfarë duhet të bëhet më mirë për ta bërë atë të suksesshme?

Reforma në sektorin e ujërave me tri shtyllat e saj – përmirësimin e kuadrit institucional dhe rregullator / rritjen e investimeve në infrastrukturë / zgjerimin e ekspertizës dhe kapaciteteve menaxheriale – synon modernizimin e sektorit shqiptar të menaxhimit të ujërave dhe harmonizimin e tij me standardet e BE-së. Përmes luftës kundër informalitetit në fillim të vitit 2018 qeveria ka mundur të shënojë suksese mbresëlënëse, sikundër është rritja e numrit të lidhjeve të regjistruara zyrtarisht me rrjetin ujor, pagesa e faturave të prapambetura dhe rritja e të ardhurave të ndërmarrjeve të ujësjellësve.

Por një reformë e thellë strukturore si kjo kërkon shumë durim. Në vlerësimin tim për një sukses të qëndrueshëm do të ishte veçanërisht i rëndësishëm qartësimi i roleve dhe kompetencave të institucioneve përgjegjëse, si dhe kualifikimi i mjaftueshëm i punonjësve të tyre për detyrat, që ata duhet të përmbushin. Krahas kësaj, duhet që investimet të realizohen sipas kritereve objektive në përputhje me masterplanin dhe të lidhen me faza reformash; po kështu duhet të kujdesemi për të pasur tarifa që mbulojnë kostot e që janë të përballueshme nga të gjithë shqiptarët.

Disa ditë më parë u nënshkrua një marrëveshje e re për financimin e fermerëve në zonat rurale. Sa i suksesshëm ka qenë ky instrument deri më tani sipas jush dhe çfarë impakti pritet të ketë në këto zona?

Fondi i Garancisë së Kredive Rurale (RCGF) është krijuar në vitin 2015 me qëllim që fermerëve shqiptarë dhe sipërmarrjeve në zonat rurale t’u lehtësohej aksesi në mjete financiare. Deri më tani fondi ka mundësuar më shumë se 1200 kredi, me një vlerë të përgjithshme prej 5,4 milionë eurosh, ku 10% e përfituesve janë gra. Nisur nga ky sukses, Qeveria Federale ka vendosur të rrisë kapitalin e RCGF me një grant prej 5 milionë eurosh. Një aspekt inovativ i RCGF është ngritja e një “Green Window” për garancinë e kredive për investime në fushën e eficiencës së energjisë dhe asaj të energjive të rinovueshme. Pritet që deri në vitin 2021, Fondi të ketë mbuluar më shumë se 1700 garanci (gjithsej) në një vlerë të përgjithshme prej më shumë se 16,5 milionë eurosh.

/Monitor

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej