Ka than' i moçmi: 

"Sod nuk don me dijt kush si je, po si dukesh e si paraqitesh."

- Anton Harapi

Ambasadorët e Çështjes Çame

Nga admin 0

Nga Laert Mezani

Pavarësisht formës dhe mënyrës, gjithsecili, kontribuon që çdo patrioti, shqiptari të Çamërisë ose jo, t’u përcillet zëri se çfarë Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet ka për vizion. Një e ardhme e begatë pa skeletet e së shkuarës në dollap.

Me keqardhje nuk i njoh votuesit në qytetet e tjera, por me bindje kuptoj çfarë shtyn banorët e Vlorës (pjesërisht me influenca të djathta ndër çamët) dhe tërësisht të majtë ndër vendasit.

Vlonjatët janë popull i ashpër (malësorët e jugut na thonë) dhe e vetmja gjë që na prek në zemër janë, fjala, shkrimet, këngët e sidomos njerëzit.

Jemi parti e re dhe do ishte e pamundur të mbijetojmë e të rritemi, nëse imitojmë modele, strategji të mbështetura në premtime (ngaherë të pambajtura), vende pune, “lazëme” në administratë apo “lazëme” adminsitrative.

Kemi për mision zgjidhjen e Çështjes Çame e ndoshta jo sot, jo nesër, por t’u lëmë brezave të rinj, themele të shëndosha, nga ku të vazhdojnë në misionin që të tjerë para afrimit tonë në PDIU kanë nisur.

Po, për t’ja arritur duhet përfaqësim gjithnjë e më i fuqishën dhe strategjik në administratë.

Po, për tja arritur duhen koalicione të pëlqyeshme, por edhe më pak të pëlqyeshme me partitë e tjera.

Kjo periudhë ka qenë vendimtare për punën 25 vjeçare të Shoqatës “Çamëria” që me mund nxiti krijimin e partisë së parë të përfaqësuar nga çamë, e cila bëri të mundur që Çështja Çame të përfshihet në agjendat e sferave më të larta ndërkombëtare.

U ligjërua një kërkesë e drejtë, e cila për dekada u la në heshtje, vetëm e vetëm për mbajten e një staus quo-je në marrëdhëniet me Greqinë, për interesa të ngushta, apo për komplekse inferioriteti kundrejt helenëve.

Pikërisht për këto vlera që na udhëheqin do të ishte e dëmshme të mos përforcojmë punën e bërë deri tani, do të ishte e dëmshme të lëmë mënjanë me qindra çamë, pa u dhënë të drejtën e fjalës, përfaqësisë e pa ndjekur modelin e plebishitit që deri më tani kemi përdorur në qytet.

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet është shtëpia vetëm e patriotëve, të cilët me kontributin e tyre shtojnë nga një gur në themelet e kështjellës, nga ku duhet të buçasë:

Është e jona Çamëria!

Me frikë shihet se mund të venitet kuptimi i Çështjes Çame, parë veç në rikthimin e tokave a pasurive materiale. Me po të njëjtën frikë, kur një ditë të ndodhë që kjo çështje të zgjidhet, ato toka, pasuri do t’i marrin individë që çamë kanë vetëm paraardhësit dhe do ta valëvisin këtë fakt veçmas për pak tokë e dy ullinj.

Çështja Çame është shumë më shumë se kaq, mbart dhe duhet të përfshijë  çdo element si: këngët, vallet, legjendat, shkrimet, traditat, zakonet, gatimet e çdo gjë që e bën dalluese nga krahinat e tjera.

Më vjen ndër mend ajo shprehja “çam bëhesh, nuk lind” nga ku pyes: E si bëhesh çam?

Të dashurohesh me çdo gjë çame. Kemi një kulturë të pasur gastronomike, kulturore, gjuhësore, kemi namin e të bërit sipërmarrje. E ku ka më mirë se t’u përcjellim individëve me paraardhës çamë e gjithkujt tjetër, po këto vlera që brezat e vjetër përpiqen të mos harrojnë.

Gjatë kompeticionit të Ansamblit “Çamëria” në Gjeorgji ishte prekës se si të gjithë shtetet brohirisnin valltarët tanë. Akoma më prekës se si çamë dhe jo çamë, flisnin për Çamërinë dhe Çështjen Çame (qoftë dhe pa qënë asnjëherë në Çamëri).

Ata përhapën zërin për një kulturë, që nëse nuk i kushtohet vëmendja e duhur do shkojë drejt shfarosjes, kulturë e cila është gur themeltar i të qenit shqiptar.

Për këto e shumë arsye gjithnjë u duhet mundësuar këtyre të rinjve të përmbushin atë çka dinë të bëjnë më mire; të bëjnë njerëzit të dashurohen me kulturën çame. Ata janë ambasadorët e vërtetë të Çështjes Çame.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej