Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Aleanca e medias me pushtetin prodhon autoritarin

Nga 27.al 0

Nga Arben Llalla

Mediat elektronike dhe të shkruara janë mjetet kryesore të propagandimit të grupeve të caktuara udhëheqëse në kohët që po jetojmë, duke ndikuar drejtpërdrejtë në zhvillimet politike dhe shoqërore.

Mediat, në qoftë se zgjedhin t’i shërbejnë pushtetit janë në gjendje të ngrenë apo të shkatërrojnë një grup të caktuar të shoqërisë, kur vendosin të qëndrojnë përballë njëri-tjetrit, duke i shërbyer vetëm interesave të pronarëve të tyre dhe politikës së kontrollit shtetëror. Rezultatet tashmë janë të njohura për opinionin e gjerë, pasi të gjithë ne po e përjetojmë prej shumë vitesh funksionimin e këtij sistemi, i cili nuk garanton zhvillimin e demokracisë, reduktimin e pushtetit dhe të privilegjeve të qeveritarëve, por po krijon një autoritar të fuqishëm. Sistemi autokratik bën një sulm të mirëorganizuar duke ushqyer publikun me lajme hidhëruese, siç janë vetëvrasjet, përdhunimet, vjedhjet, atentate dhe kërcënime. Pra, tema që sjellin plogështi, mosbesim, frikë për të ardhmen, duke e çuar masën popullore drejtë një izolimi në vetvete.

Kështu, njeriu i ndikuar nga këto mendime e konsideron të kotë dhe humbje kohe për t’u marrë me ngjarjet politike, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në jetën e tij ekonomike dhe shoqërore. Ky lloj njeriu është kthyer tashmë në spektator i thjeshtë i ngjarjeve që lidhen me të ardhmen e tij.

Por, duhet të dimë se ekziston vetëm një jetë, për të cilën nuk duhet të lejojmë çdo lloj aleance midis medias dhe pushtetit autoritar. Prandaj, grupet e ndryshme intelektuale demokratike të shoqërisë nuk duhet të lejojnë krijimin e kushteve për caktimin afatgjatë të politikanëve dhe qeveritarëve në pushtet për të drejtuar vendin. Sepse, rezultatet tashmë dihen, ku prej 40 vjetësh shumë vende drejtoheshin nga një grup i vogël njerëzish. të cilët u kthyen në diktatorë të bashkëkombësve të tyre, duke bërë krime të ndryshme për të qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe krijuar sistemin e trashëgimisë e të nepotizmit.

Në demokracinë e sotme politikanët autoritarë nuk janë profesionistë, as njerëz që vijnë nga fusha e shkencës së politikës, por ata “gabimisht” u caktuan nga sistemi komunist në ditët e fundit të rrëzimit në fund të shekullit XX. Prandaj, nuk mund të ketë agim të shekullit të XXI dhe pranverë ndryshimesh me masat dhe demokracinë e rreme që po zhvillojnë qeveritarët dhe politikanët e sotëm.

Autoritari i sotëm vërehet kudo në media, në qeverisje, në Kuvendin e pluralizmit, ku ky lloj sistemi diktatorial ka treguar shpeshherë me anë të fjalës forcën dhe kërcënimin me likuidim të mendimit ndryshe. Qëllimi i çdo regjimi autoritar është dorëzimi i shumicës së popullit përmes mohimit të shprehjes së fjalës së lirë dhe të dijes. Kjo sjell si përfundim dobësimin e mendim kritik ndaj pushtetit dhe krijimin e qytetarit “ideal”, i cili mbytet nga dëgjueshmëria kolektive.

Prandaj, mendoj se ka ardhur koha për Marrëveshje të Vullnetit të Mirë për të ruajtur stabilitetin e shoqërisë dhe të vendit midis sistemit shumë autoritar, i cili nuk garanton mirëqenie për të ardhmen dhe forcave demokratike për të arritur qëllimet kryesore që i shërbejnë të gjithëve, kombit dhe shtetit.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej