Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Aksidenti që i mori jetën Albert Kamysë mund të ketë qenë vepër e KGB-së…

Nga 27.al 0

Nga Ilir Seci

Pesëdhjetë e gjashtë vjet me parë, më 4 Janar të vitit 1960, do të vdiste në një aksident me makinë, Albert Kamy, (7 Nëntor 1913-4 Janar 1960), shkrimtari më i madh i botës, mbas Luftës së Dytë Botërore.

Në trupin e pajetë iu gjet një biletë treni; atë ditë ai kishte planifikuar që të udhëtonte me tren për Paris, familjarisht, me gruan Francine dhe fëmijët e tij binjakë, Catherine dhe Jean. Në momentin e fundit para nisjes Kamy ndërroi mendje dhe vendosi të udhëtonte me makinën e mikut dhe botuesit të tij, Michel Gallimard. Për fat të keq u ndodh një aksident pranë Sens, në Le Grand Fossard në qytetin e vogël të Villeblevin. Makina luksoze “Facel Vega” përplaset në një pemë në anë të rrugës dhe si pasojë e aksidentit Albert Kamy vdes në vend, kurse miku dhe botuesi Michel Gallimard vdes disa ditë më vonë. Ikja e parakohshme e gjeniut Albert Kamy ngjan edhe më e hidhur, kur njeriu mendon se në xhepin e palltos kishte biletën e prerë te trenit për të udhëtuar atë ditë. Filozofi i Absurdizmit, sikur kishte paralajmëruar diçka të tillë, kur kishte shkruar: -“Në çdo cep rruge, ndjenja e absurdit mund ta godasë njeriun në fytyrë.”… Sa sarkastike ngjan që, Kamy, shkrimtari që kurrë nuk i kishte pëlqyer makinat, të vdiste pikërisht në një aksident me makinë?! Ishte fakt i njohur që Kamy nuk i pëlqente makinat. Në një rast, kur një mik i afërt e paralajmëroi Kamynë që të voziste me kujdes nëpër autostrada, shkrimtari ju përgjigj: -“Mos u shqetësoni, unë e urrej shpejtësinë dhe nuk me pëlqejnë makinat.”

Kamy kishte një makinë Citroen që e përdorte shumë rrallë ngaqë nuk i pëlqente automjetet. Gjykimi i Kamysë për makinat dhe vozitjen me shpejtësi ishte i njëjtë me gjykimin e tij për besimet fetare dhe ideologjitë: -“Ato janë metoda të rreme për të shliruar vetveten tonë nga pesha e jetës.” – thoshte Kamy, i cili besonte se: -“Jeta,pikërisht, sepse është absurde, është prona jonë më e çmuar dhe më e rëndë.”… …Në rrënojat e makinës, policia,përveç biletës, gjeti dhe dorëshkrimin prej 144 faqesh të romanit të titulluar “Njeriu i Parë”, shkruar me dorë nga Kamy, një roman i papërfunduar, roman për fëmijërinë e tij në Algjeri. Për këtë roman Kamy kishte paralajmëruar se do të ishte vepra e tij më e arrirë! Lajmi tragjik i vdekjes së shkrimtarit gjenial tronditi mbarë Francën në atë kohë, pasi Kamy ishte në kulmin e krijimtarisë dhe kishte miliona admirues. Atë ditë, jo vetëm Franca, por mbarë bota humbi një shkrimtar gjigand që vdiq vetëm 46 vjeç, në kulmin e krijimtarisë së tij si shkrimtar, eseist, filozof i Absurdizmit… …Kamy gjithë jetën e tij u preokupua për fatin e më të dobtëve, për lirinë e individit. Urrente demagogjitë politike dhe mashtrimet ideologjike: -“Asgjë nuk është më e neveritshme sesa respekti i bazuar në Frikë.” – shkruante Kamy. Ai ngulmonte se njerëzit duhet të jenë të lirë pasi: -“Liria nuk është gjë tjetër, përpos një shanc për të qenë më i mirë.”

Gjithë jetës e vet, Kamy denoncoi totalitarizmin dhe kundërshtoi në mënyrë aktive diktaturat që shfaqeshin në format më të ndryshme. Në rini, Kamy, ishte pjesmarrës aktiv i Rezistencës Franceze kundër pushtimit gjerman të Francës gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kamy në këtë kohë drejtoi një revistë të famshme të rezistencës, “Combat”. Lidhur me bashkëpunimin e disa francezëve me pushtuesit nazistë ai shkroi: – “Tani e vetmja vlerë morale është kurajuar që duhet në këtë rast për të gjykuar këto kukulla dërdëllitëse që pretendojnë të flasin në emër të popullit” Edhe mbas çlirimit, Kamy ishte për denoncimin dhe dënimin e bashkëpunëtorëve, lidhur me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj tyre, është e famshme shprehja e tij: -“Ky vend nuk ka nevojë për një Talleyrand, por një Saint-Just.” Megjjthatë, kur pa gjykimet e përgjakshme të pasluftës, Kamy ndryshoi mendim për dënimet duke e shprehur publikisht këtë gjë… për më tepër u bë një kundërshtar i përjetshëm i dënimit kapital. Kamy në një periudhë kohe u shoqërua me Sartrin, por miqësia e tyre u prish pikërisht për qëndrimet e kundërta ndaj komunizmit. Kamy nuhati totalitarizmin që fshihej në “politikën e masave”, politikë e mbështetur nga Sartrit në emër të marksizmit radikal. Kolosi Albert Kamy në veprën “Revolta e Njeriut”, (“L’Homme Révolté”) , parashtron gjykimet e veta lidhur me këto politika: -“Kur rebelohet, njeriu e identifikon veten me njerēz të tjerë dhe kështu tejkalon vetveten dhe nga kjo pikëpamje solidariteti njerëzor është metafizik. Por, për momentin ne po flasim vetëm per atë llojin e solidaritetit që ka lindur në zinxhirë.” Vepra “Revolta e Njeriut” e Kamysë është veper universale dhe është shumë më teper se një sulm mbi shtetin diktatorial sovjetik, është një veper që ngre shumë pikëpyetje mbi krejt natyrën e politikës revolucionare, të ashtëquajtur si “politikë masash”. Kamy nuk ndali së shkruari kundër mizorive të Bashkimit Sovjetik, asnjëherë sa ishte gjallë. Një model është fjalimi i mbajtur në vitin 1957, titulluar “Gjaku i Hungarezëve”, mbajtur në pervjetorin e parë përkujtimor të Revolucionit Hungarez të 1956, asaj kryengritje të shtypur përgjakshëm nga ana e Ushtrisë së Kuqe. Ka shumë mundësi që pikërisht ky qëndrim kundër sovjetikëve i kushtoi edhe jetën Kamysë, pasi në shumë qarqe intelektuale në Francë dhe në botë besojnë se aksidenti me makinë që u shkaktoi i vdekjen ishte vepër e KGB-së. Në gusht të vitit 2011 gazeta italiane “Corriere della Sera” ka botuar një artikull, ku shkruhet se spiunët sovjetikë mund të ketë qenë mbrapa aksidentit që i mori jeten Kamysë. Këtë teori e sugjeroi Akademiku dhe Poeti italian,Giovanni Catelli, i cili u bazua në studimin e ditarit të shkruar nga poeti dhe përkthyesi i njohur çek, Jan Zábrana, ditar i botuar si libër me titull “Cely Zivot”. Në përkthimin italisht të këtij ditari rezultonte i zhdukur një paragraf që akademiku Catelli e ka gjetur ne origjinal. Në paragrafin e zhdukur, Zábrana shkruan: -“Kam dëgjuar diçka shumë të çuditshme nga goja e një njeriu, i cili dinte shumë gjëra dhe që ishte i mirëinformuar, pasi kishte pasur shumë burime nga lidhjet e veta. Sipas tij, aksidenti që i kishte kushtuar jetën Kamysë në vitin 1960, kishte qenë aksident i organizuar nga spiunët sovjetikë. Ata dëmtuan njërën gomë të makinës duke përdorur një pajisje të sofistikuar për të shpuar një vrimë në gomë në kohën që makina voziste me shpejtësi. Urdhëri u dha personalisht nga Dmitri Trofimoviç Shepilov, ministri i jashtëm sovjetik, si një reagim ndaj një artikulli të botuar në “Franc-Tireur”, (një revistë franceze), në mars 1957, artikull në të cilin Kamy kishte sulmuar ministrin Shepilov, duke e akuzuar në mënyrë të hapur për ngjarjet në Hungari. Në artikullin e tij, Kamy kishte denoncuar si – “Masakra Shepilov” – vendimin e Moskës për të dërguar trupat sovjetike që shtypën kryengritjen hungareze të vitit 1956. Më vonë Kamy kishte zemëruar edhe më shumë autoritetet sovjetike, kur mbështeti publikisht shkrimtarin rus Boris Pasternak, autorin e romanit “Doktor Zhivago”, laureat i çmimit “Nobel” si Kamyja dhe autor veprash të ndaluara me urdhër nga Stalini. Gazeta italiane “Corriere della Sera” përfundon se duke analizuar gjithë këto të dhëna, me të vërtetë kishte pasur arsye të mjaftueshme për Kremlinin që të urdhëronte vrasjen e Kamysë, vrasje e realizuar në stilin e zakonshëm profesionist të agjentëve të KGB-së”.

Një gjë dihet botërisht, që sovjetikët kanë eleminuar disidentë dhe kundërshtarë të tyre në Perëndim. Janë disa raste famëkeqe, sidomos në Londër, Angli.

Dihet, po ashtu botërisht që sovjetiket shumë nga “punët e pista”, (“dirty works”), si quhen, i kryenin me anë të agjentëve të tyre çekë. Një pyetje që me të drejtë mund të shtrohet, është se përse nuk reagoi Franca?! A pati dijeni dhe pse nuk reagoi qeveria franceze në rast se këto akuza qëndrojne!?

Le te behemi realistë; Çfarë mund të bënte Franca edhe sikur, ta zëmë, të kishte të dhëna për këtë gjë! Edhe sikur të kishte informacion, çfarë mund të bënte Franca në kulmin e Luftës së Ftohte!? Siç ka dalë me vonë shërbimet sovjetike kishin dorë edhe në rastin e terroristit Ali Akça që i bëri atentat Papa Vojtilës. Më vonë i penduar, terroristi, i tregoi vetë kokë më kokë Papa Gjon Palit se kush e kishte shtyrë, por çfarë mund të bëhej?!…

***

… Në Janar të këtij viti u mbushën plot 46 vjet nga vdekja e parakohshme e Albert Kamysë. Aq vite sa ishte mosha e tij ditën, kur vdiq. Atë ditë gjeniu mësoi misterin më të madh të njerëzimit; Ditën e Gjykimit. Megjithëse për atë ditë Kamy kishte shkruar: -“Mos pritni për Ditën e Gjykimit – gjykimi bëhet përditë.”

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej