Ka than' i moçmi: 

Kjoft mallku ai bir shqyptari qi ket gjuhë t'perëndisë trashëgim q'ia la i pari trashëgim s'ia len ai f'misë."

- At Gjergj Fishta

Agolli e Kadare si Salieri dhe Moxarti

Nga Media 0

Nga Ilir Babaramo

Dritëroi si të gjithë pijetarët ishte babaxhan, me një rreth të jashtëzakonshëm të njohurish. Ky është një nga shkaqet e kësaj empatie që pasoi ikjen e tij nga kjo botë. Por, shkaku kryesor mbetet fakti që ai është një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë dhe një nga figurat publike më influente gjatë 50 viteve të fundit. 
Gjithçka do kishte kaluar në heshtje, paqe që imponon rruga drejt amëshimit, nëse demonët e së shkuarës nuk do ishin përfshirë. Duke përdorur pushtetin që ka kodi i vdekjes, këta të fundit bënë betejën finale në luftën që e kanë humbur dhe në kohën, kur kishin në dorë frikën e plenumeve të PPSH-së dekada më parë. Ish-kryetarë kooperativash, pinjollë të Bllokut që kanë trashëguar huqin e shkrimit të biografive të të tjerëve edhe tani që nuk ua kërkon askush, zyrtarë të lartë që dikur talleshin me “Nënë Shqipëri” në tavolina intelektualësh dhe tani nuk e kanë problem për ca vota më shumë të shkruajnë hartime rrënqethëse për Dritëroin dhe më pas të drekojnë me narkotrafikantë, u bënë të gjithë bashkë për të korrigjuar një padrejtësi sipas tyre. Shumë syresh u përpoqën të rihapin pas 30 vjetësh debatin më të pa vend, mu mbi arkivolin e Dritëroit, më absurden garë në atë çast: kush është shkrimtari më i madh shqiptar? Shpirti i Dritëroit duhet të ketë ndjerë bezdi nga kjo qasje, pavarësisht se egoja e krijuesit është forca më e madhe që lëviz qytetërimin. Por jo, mu aty para lotëve të familjarëve të Dritëroit duhet të laheshin hesapet me Kadarenë. 
Gjithë brezi im i mban mend fillimvitet e zymta ‘80. Shoqëria ishte e ndarë. Intelektualët dhe të gjithë ata që donin hapjen e Shqipërisë kishin si idhull Kadarenë, ndërsa nomeklatura komuniste kishte si ikonë Agollin. Këta të fundit flsinin me përbuzje për gjeniun e letrave shqipe. Me një urrejtje kongenitale dhe habi se si ai ende nuk ishte arrestuar, trutharët e Dullës shpreheshin: “Kadare është shkrimtar i borgjezisë. Ne kemi Dritëroin që është i lidhur me popullin dhe Partinë”.
Për vite e vite me radhë suksesi i Kadaresë që media botërore e rendiste përkrah Markezit përjetohej si një makth nga diktatura. Për të zhvleftësuar sukseset e tij e zvarrsinin në baltën e plenumeve, në ankthin e jetës fizike, në stuhinë e fushatave denigruese. Por, diktatorit si çdo shkrimtari të dështuar, i duhej një shkrimtar zyrtar, një antimëkatar. Dhe regjimit, krifa e thinjur e Dritëroit i dukej si prej shenjtori. Në çdo mbledhje partie, fronti, rinie, bashkime profesionale dhe ndoshta deri tek shoqata e gjuetarëve ishte stampuar si klishe: Agolli, shkrimtari më i mirë shqiptar. 
Agolli ka heshtur për këtë garë, ku donin ta fusnin, ta përdornin. Si shkrimtar i mirë e ka kuptuar se betejën, ku donin ta përfshnin e kishte të humbur, ca më tepër pas viteve ‘90, kur muret e Lidhjes të dehurit e kioskave përreth i përdornin për t’u pshurrur. Por, ata që donin ta përdornin për së gjalli kundër një miku të humbur donin të shfrytëzonin dhe funeralin e tij. Ashtu si ata që arkivolin e Azemit e përdorën për të goditur dyert e kryeministrisë. Bela e madhe me armatën e madhe të denoncuesve të kohës së diktaturës. 
Ata e adhurojnë Agollin jo aq për veprat e tij që janë gurthemeli i realizmit socialist, por për faktin se ishte anëtar i Komitetit Qendror, kryetar i Lidhjes, patriark i PS. Së fundi u servirën si një akt i jashtëzakonshëm trimërie i Dritëroit fjalimi i tij në kongresin e dhjetë të PPSH. Kishte shtatë muaj që ishte shpallur pluralizmi dhe pese muaj që ishte shembur shtatorja e diktatorit dhe kundërshtarët politikë të PPSH kishin gjysmën e posteve ministrore, kur Dritëroi për herë të parë u shpreh se “partia është shtrirë në shtrat dhe po lëngon”. Ai s’kishte përse të trembej nga ajo turmë e irrituar në Pallatin e Kongresve. Gjysmën e tyre e njihte nga koha kur shkonte në bazë dhe ata i shtronin në mënyrë servile dreka të denja për Gargantua dhe gjysma tjetër kur i çonte në shtëpi qingjat dhe bocat me raki. Jo, nga këta Agolli s’kishte frikë. I trajtoi si tuafë. Ajo që ai u thoshte ishte e vetmja mënyrë për të dalë matanë lumit pa u lagur dhe të shpëtohej ç’mund të shpëtohej nga anije e shpuar mbushur me rraqet e komunizmit. Ky është dallimi tjetër mes tij dhe Kadaresë. Ky i fundit, ndërkohë kishte bërë shumë akte publike, kohë më parë. Shkurt, nuk kërkonte nxjerrjen në breg të anijes së PPSH, por mbytjen e saj. Koha i dha të drejtë. Por, jo pinjollët e PPSH. 
Tani që liria mbretëron dhe gjithkush mund të botojë pa censurën e Lidhjes dhe hiearkia e vlerave nuk dekretohen nëpër plenume çdo pasionant i letërsisë është i qartë. Letërsia shqiptare, pavarësisht se përdoret nga vetëm 10 milionë njerëz ka hyrë në elitën botërore. Falë Kadaresë. Gjithçka tjetër është ose empati për vdekjen ose hakmarrje e pinjollëve të çobanëve të Tërbaçit që ende besojnë që janë elita e Shqipërisë dhe mund të vendosin për gjithçka, pavarësisht se dosjet e kuadrit të PPSH nuk vlejnë as për të fshirë bythën dhe nuk mund të frikosojnë dikë me burgun e Spaçit. Kanë vetëm pushtetin që të lehin nganjëherë. Tek e fundit të gjithë janë të lirë. 
Tani që rendi i gjërave është vendosur përfundimisht dhe llogaritë bëhen në liri, Agolli mbetet një nga shkrimtarët më mirë shqiptarë. Raportet e tij si profesionale dhe njerëzore me Kadarenë janë si të Salierit me Moxartin. Seancat e gjyqeve pa fund të plenumeve që bëheshin kundër Kadaresë drejtoheshin nga Dritëroi. Përmes pushtetit që i kishte dhënë perandori, Salieri ia nxiu jetën Moxartit. Duhet të ketë qenë marrëdhnie e çuditshme. Të dy bashkë në biseda konfidenciale talleshin me matufët e byrosë, por nga tribunat e plenumeve Agolli i tundte gishtin Kadaresë duke i thënë thellohu në autokritikë, se ke shkarë nga vija e partisë. Djallëzi e fshatarit që të bën hile në kandar. 
E megjithatë muzika e Salierit vazhdon të luhet dhe pas disa shekujsh. Sigurisht, pa shkëlqimin e “Requiem” të Moxartit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>