Ka than' i moçmi: 

"Besa, pra, mund të ketë shumë në këtë botë, atdheu është vetëm një."

- Çajupi

Aftësia “për të ricikluar” problemet

Nga Klodiana 0

Aftësia e kësaj qeverie për të ricikluar problemet është mbresëlënëse. Kërcënoi me gjoba, por thotë se vitin tjetër do t’i heqë. Kërcënoi edhe me burg, tani thotë se nuk do të ketë më. Në vitin e fundit të mandatit të saj rikthen ligjin për importin e mbetjeve në Shqipëri, të cilin e shfuqizoi plotësisht dhe solemnisht që në ditët e saj të para, duke sjellë “paqen” e përkohshme te shqiptarët. Është në thelb i njëjti ligj, ndonëse qeveria pretendon se vendos disa kufizime që, sipas saj, rrisin sigurinë dhe kontrollin në administrimin e plehrave që do të hyjnë për t’u ricikluar nga industria vendase.

Opozita, e cila tha “mea culpa”, kur bëri ligjin në vitin 2011, e akuzon qeverinë se u është nënshtruar klaneve mafioze që administrojnë mbetjet. Qeveria thotë se zhbllokimi i importit u bë për të ndihmuar një industri që punon me vetëm 20 për qind të kapacitetit, ka investuar mbi 100 milionë euro dhe punëson rreth 3000 mijë vetë. Nga heqja e embargos së importit, mbrohet fort qeveria, mund të punësohen 30 mijë vetë ose rreth 10 herë më shumë, ndërsa kapitali i investuar bëhet rentabël.

Por nëse akuzat e opozitës është vështirë t’i vërtetosh, argumentet e qeverisë janë fare të lehta për t’u rrëzuar. Vlera e investimit në këtë industri është më pak se 1 për qind e investimeve buxhetore në një vit. Numri i punonjësve, edhe sikur të dhjetëfishohet, përfaqëson më pak se 3 për qind të popullatës.
Masa e lehtësisë që krijon qeveria është në raport të zhdrejtë me përfitimet dhe më shumë me dëmin afatgjatë që lidhet me cilësinë e jetës së shqiptarit. Një vend i vendosur në hartën botërore si destinacion plehrash është potencialisht i padëshiruar për investime në bujqësi dhe turizëm së paku, duke iu kundërvënë drejtpërsëdrejti profilit afatgjatë të ekonomisë, por dhe dy shtyllave kryesore të programit qeverisës së kësaj mazhorance.

Grupi i të punësuarve në këto industri me risk të lartë për shëndetin është përgjithësisht me të ardhura të ulëta dhe paga e tyre minimale vështirë se do të përballojë kostot e nesërme të kurimit, edhe pse ata mund të kenë një punë! Por edhe në qoftë e kundërta, një qeveri nuk udhëhiqet për të tërhequr investim se duhen investime, por për të garantuar rrugë të gjatë e të shëndetshme prosperiteti. Këtu socialistët janë kundër vetes me atë çka premtuan, rilindjen, sepse vetëm plehrat nuk ndihmojnë të lindësh, përkundrazi.

Qeveria e di mirë se rikthimi i vendimit për të lejuar importin e plehrave do të kishte pakënaqësi shoqërore e politike të madhe. Por cilat janë këto arsye kaq madhore sa ta detyrojnë të marrë këtë vendim, sa ta damkosë si mos më keq një mandat qeverisës, në fund të tij.

Gjatë këtij mandati është krijuar një hendek i madh mes ekonomisë që duam dhe asaj që është, mes ekonomisë së premtuar dhe asaj që pritet të jetë. Siç treguam një numër më parë te renditja e 200 bizneseve më të mëdha, shumica e ekonomisë mbështetet në sipërmarrje joprodhuese, që kanë pak të punësuar dhe nuk krijojnë vlerë të shtuar. Ndërkohë të dhëna periodike kanë treguar se bizneset me ritëm rritje të lartë të xhiros vjetore vitet e fundit kanë qenë call center dhe lojërat e fatit. Sektorë që do të garantonin jetëgjatësi si turizmi, bujqësia, përsiaten në shifra të ngjashme.

Qeveria ka menduar ta mbushë këtë hendek, por nuk ia ka dalë. Sondazhi i ‘Monitor’ (lexo në brendësi) me bizneset e mbyllura, tregon qartësisht se shkaqet janë kriza, taksat e larta dhe ambienti agresiv i ngarkuar me gjoba. Edhe raporti i konkurrueshmërisë globale, pavarësisht se e rendit Shqipërinë 13 vende më lart, tregon se problemet kryesore me të cilat haset biznesi janë po të njëjta, korrupsioni, taksat. Pra gjithçka që lidhet me qeverinë dhe vetëm me qeverinë. Skenarët e politikës njohin që kur një vend ka probleme, shpikin një problem tjetër më të madh për të harruar.

A mos vallë socialistët ricikluan problemin e plehrave, kaq të madh, për të harruar problemet e tjera? Jo, kjo nuk i shkon për shtat kësaj qeverisje që është kaq e kujdesshme ndaj kurimit në fasadë. Me sa duket, kjo qeverisje ka rënë në ngërçin e padijes. Hendekun mes ekonomisë që krijuan dhe asaj që duan shqiptarët, kërkojnë ta mbushin me plehra, sepse nuk kanë alternativa. Dhe kur je në një kurth të tillë fillon e kafshon veten për të shpëtuar çfarë të mundësh nga pjesa tjetër e trupit, me bindjen se mund të rikuperosh sërish në zgjedhje. Por jo, plehrat riciklohen, edhe politika riciklohet siç kemi parë shpesh, por Shqipëria mbetet aty e zënë nga mali i plehrave, pa ide.

/monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej