Ka than' i moçmi: 

"Dy bija të përmallshme, gurë të paçmuar, si hyj po ndritni ju, Kosovë e Çamëri."

- Asdreni

9-vjetori i pavarësisë së Kosovës/ Nishani dhe Rama mesazhe urimi

Nga Skenderi 0

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh urimi homologut të tij kosovar, Z. Hashim Thaçi me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Në mesazhin e urimit Nishani ka përshendetur të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës.

Më tej Nishani shprehet që “… Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit.”

Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ndodhet në Kosovë bashkë me bashkëshorten e tij për të festuar 9 vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Ai ka bërë hamozhe pranë varrit ku prehet ish- Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova.

Përmes një statusi në rrjetet sociale Rama shkruan “Gëzuar Festën e Pavarësisë”. Postimi i tij shoqërohet edhe me disa foto nga aktiviteti i përgatitur për këtë rast nga autoritetet kosovare.

Më poshtë mesazhi i plotë i urimit i Presidentit Nishani

 I nderuar Zoti President,

Me rastin e 9-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, të përcjell urimet më të përzemërta e vëllazërore, për Ju dhe të gjithë shtetasit e Kosovës.

Përfitoj nga rasti të përshëndes gjithashtu, të gjitha arritjet e deritanishme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe funksional të Kosovës, si dhe kontributin e rëndësishëm të dhënë në funksion të paqes, sigurisë dhe zhvillimit të rajonit.

Jam i bindur se falë këtij progresi, por edhe mbështetjes domethënëse të partnerëve, Kosova shumë shpejt do të bëhet anëtare aktive e organizatave më të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe do të avancojë krahas vendeve të tjera të rajonit, në agjendën e saj evropiane.

Marrëdhëniet ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Kosovës, janë shumë të veçanta dhe të një rëndësie thelbësore, si për të ardhmen e kombit shqiptar ashtu edhe për stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Ndaj dhe ju siguroj se Shqipëria, bazuar në frymën dhe vizionin evropian e euroatlantik, do të jetë gjithnjë në krah të Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe do ta mbështesë pa asnjë rezervë në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit shtetëror.

Me urimet më të mira e vëllazërore në këtë ditë të shënuar, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

 

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej