Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

8 parime planifikuese për një atdhe drejt prosperimit territorial!

Nga 27.al 0

gentian-kaprata

Një mënyrë libertariane për të dashur Atdheun.

Nga Gentian Kaprata

Zoti/Krijuesi është arkitekti më i madh ndonjëherë! Ai është Arkitekti i natyrores. Shikoni dhe shijoni natyrën. Rregullin, harmoninë, bukurinë, thjeshtësinë dhe elegancën e saj. Bota është kaq e bukur dhe mund të mos ishte kështu. Mund të ishte kaotike, e shëmtuar, e rrëmujshme. Çdo arkitekt – edhe arkitekti më ë mirë i botës njerëzore në të gjitha kohët – është arkitekt i kulturores. Sado aftësi të këtë një arkitekt i kulturores, asnjë ndërhyrje e tij nuk mund të krahasohet me atë të Krijuesit. Puna e tij thjesht dëmton natyroren. Prandaj, një arkitekt i mirë i kulturores është ai që ndërhyn sa më pak në arkitekturën e natyrores dhe përdor sa më pak materiale jashtë saj.

Atdheu duhet dashur në çdo centimetër të territorit të tij! Jo vetëm kufiri që na ndan nga fqinjët apo flamuri që na identifikon. Duhet t’i dashurojmë të gjitha burimet natyrore të tij, kudo ku ato ndodhen, dhe jo vetëm buzë Lanës apo në qytetet e mëdha. Atdhedashuria e re duhet të jetë zhvillimi i zgjuar, i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i burimeve natyrore dhe territoriale të Atdheut. Nga njëra anë, t’i marrim gjithçka dhe të përfitojmë gjithçka të mirë që Krijuesi krijoi për ne dhe teknologjia na mundëson t’i kthejmë në të mira materiale për të përmirësuar jetesën e sotme, nga ana tjetër t’i mirëmbajmë këto burime që t’ia trashëgojmë brezave të ardhshëm.

Toka bujqësore duhet trajtuar si “zonë e mbrojtur”! Nuk janë të shumtë që e njohin faktin se, Shqipëria është vendi më i varfër në Europë më tokë bujqësore. Kemi më pak tokë bujqësore edhe se Egjipti, i cili rreth 70% të territorit e ka nën shkretëtirë. Në vitin 1994, sipas statistikave të kohës, ne kishim një fond të tokës bujqësore prej 2300m2/banor. Ndërsa një statistikë tjetër e mesviteve 2000, na tregon se ky tregues ka arritur në 1700 m2/banor. Pa shumë impenjim intelektual, është e kuptueshme pse ky rrënim. Prandaj, këtë fond të mbetur duhet ta trajtojmë si nikoqir të vërtetë. Çdo vendim për ndryshim të përdorimit të tij duhet ta peshojmë me mençuri.

Pas 70 vjetësh shëtitje nëpër populizëm shoqëror e politik, Shqipëria ka domosdoshmëri një formulim të qartë mbi çfarë i delegojmë si fushëveprimi qeverive të tre niveleve që ne kemi. Parimi i zvogëlimit të fushës së veprimtarisë së qeverive duhet ta frymëzojë këtë ushtrim politik. Qeverisja kombëtare, rajonale dhe vendore nuk kanë marrdhënie hirearkike. Asnjë qeverisje nuk është pronari i një niveli tjetër qeverisës. Nivelet e qeverisjes kanë fushëveprime të ndryshme. Secila kryen të sajat në mënyrë autonome, pa mbivendosje dhe pa hapësira boshe, duke përfshirë të gjitha çështjet që shoqëria i konsideron si të sferës publike dhe i ka përcaktuar në Kushtetutë.

Territori është lokal! Ai mund të përdoret, mirëmbahet dhe kurohet më mirë nga njërëzit që jetojnë në këtë territor. Janë këta njerëz që ja njohin më mirë gjeografinë dhe historinë e bashkëjetesës së njeriut me të dhe në të, të cilët mund të sigurojnë vendimarrjet më të qëndrueshme. Vetëm, kur problemet e disbalancat ndeshen/shfaqen përtej një territori vendor, atëherë ato duhen trajtuar nga një nivel më i gjerë qeverisës. Shqipëria ka domosdoshmëri një ndarje më decentralizuese të fushëveprimtarisë ndërmjet tre niveleve qeverisëse! Sa më afër komunitetit vendimarrja aq më të qenësishme janë zgjidhjet e problemeve dhe balancimi i disbalancave.

Shqipërisë territoriale i duhet një qëndrim politik gjithëpërfshirës për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë në territorin kombëtar. Rishpërndarja e pupollsisë duhet të synojë bërjen bashkë të burimeve natyrore, burimeve njerëzore dhe burimeve financiare. Dhe kjo, jo vetëm si një përfitim e mundësi prosperimi ekonomik, por edhe si një tezë patriotike për të mos lejuar shkretimin e pjesëve kufitare dhe periferike të Atdheut dhe për të krijuar kohezion kombëtar e për të mos lejuar atomizimin e komuniteteve. Çdo politikë kombëtare, rajonale dhe vendore, dhe çdo projekt i ndërmarrë në kuptim të tyre, duhet ta konsiderojë si prerogativë këtë qëndrim politik.

Shqipëria ka nevojë për një ekuilibrim të qendrave të banuara. Sot, “Shqipëria Urbane” përbëhet nga dy tipologji diametrikisht të kundërta të qëndrave urbane: qytete të mëdha, të mbipopulluara dhe me densitete të larta; qendra urbane të braktisura, të nënpopulluara dhe me densitete minimaliste. Të dyja shumë të vështira e me kosto të lartë për t’u qeverisur (administruar). Të parat, si pasojë e një zhvillimi të shpejtë, të pasaktësuar as politikisht e as teknikisht, sot paraqesin mungesa të mëdha në mundësi punësimi e aktivitete të tjera jetësore. Kurse të dytat, të harruara që ekzistojnë, vuajnë mungesë financimesh për shërbimet minimale publike.

Qyteti ndërtohet për njerëzit dhe nga njerëzit”, nuk është një sllogan revistash për urbanistikën, por parimi më bazik në ndërtimin e qëndrave të zgjuara, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të jetesës. Territoret e përshtatura për jetesë humane që nuk zhvillohen në përputhje me planifikime që vijnë si produkt i proceseve demokratike që përfshijnë të gjitha palët e interesuara dhe të prekura nga zhvillimet e propozuara, janë të destinuar të dështojnë në çdo aspekt. Rasti shqiptar është shembulli më klasik i kësaj mënyre. Prandaj, Shqipëria e sotme ka domosdoshmëri jetike të ndërmarri procese planifikuese, ku përfshirja e qytetarëve të interesuar të jetë prerogativë.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>