Ka than' i moçmi: 

"Shqiptarët tregojnë çka s'duhet, e fshehin atë çka e di e tërë bota."

- At Gjergj Fishta   

300 Spartanët…

Nga 27.al 0

Nga Saimir Demi

Nuk të qëllon shpesh, që në kampionatin shqiptar të shohësh ndeshje, si ajo e së djelës midis Partizanit dhe Skënderbeut. Bëhet fjalë për nga cilësia, pikërisht ajo që i mungon futbollit tonë dhe që pas përfundimit të 90 minutëshit duhet të na bënte entuziastë, pra të na shtynte të shpërthenim me pozitivitet, gjë që edhe kjo na mungon. Por edhe kësaj here na mungoi fati për të qenë të qeshur, pasi në emisionet e mbrëmjes të gjithë protagonistët e ekraneve ishin të detyruar të ndanin se kush ishin shkaktarët e dhunës në “Elbasan Arena”, forcat e rendit në numër të shtuar, apo tifozët e pakët që kishin udhëtuar për të ndjekur përballjen e kampionëve, me ata që aspirojnë titullin. Dhe nuk kishte se si të ndodhte ndryshe, pavarësisht se ajo ndeshje meritonte analiza të detajuara teknike, pasi ishte e këndëshme. Arbitri Jorgji e mbylli në minutën e 107-të, sepse në shkallët e stadiumit pati përplasje të dhunshme, që si pasojë sollën gjak dhe të rinj që ishin nisur për të ndjekur një shfaqe, u transportuan me autoambulancë, në gjendje të pavetëdijshme. Dhe për të kuptuar se cila ishte arsyeja që solli këtë degjenerim të situatës, duhet sjellë në vëmendje kronologjia e ngjarjeve.

Faza e parë… Pragndeshja u përgatit, sikur të ishte parashikuar se diçka e madhe do të ndodhte, ashtu si edhe derbi dy javë më parë. Bllokime të akseve të qytetit, heqja e aksesit qytetarëve për të parkuar automjetet e tyre, në një perimetër të caktuar rreth stadiumit dhe për ta bërë sa më serioze gjendjen, u deklarua publikisht për një prani të shtuar të forcave të rendit, rreth 300 efektivë. Ndërkohë që gjithçka ishte thjeshtë një fantazi e dalë prej kokash të nxehta, që kudo shohin luftë. Numri i tifozëve ishte shumë i vogël për një ndeshje të tillë dhe sërish nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Pjesa më e madhe kishin mbërritur në Elbasan me autobuzët e sponsorizuar nga klubet e tyre, pasi në të kundërtën, me gjithë këtë fukarrallëk, do të ishte më i pakët numri i tifozëve, se i policëve që kishin porositur fara për të përtypur. Ndërkohë, në një ambjent që normalisht duhej të survejohej vetëm me stjuardë, u shfaqën punonjësit e shtetit të veshur frikshëm dhe ne të gjithë e dimë nga eksperienca, që kur i përgatisin për diçka që mund të ndodhë dhe janë të shumtë në numër, nuk janë më të dobishëm, pasi i kalojnë të gjitha limitet.

A nisën 300 vetë për të bërë “sus” miletin? Edhe ata kaluan gardhet dhe u kthyen në “300 Spartanë”, duke i përdorur me të gjithë forcën e krahut armët që kishin në duar, madje pa bërë asnjë dallim moshe apo seksi.

Faza e dytë… Dhe e gjithë kjo histeri blu, nuk kishte si të mos kalonte pa një bilanc viktimash, por për fat të mirë pa pasoja fatale. Në të gjitha fotot që qarkullonin nga shërbimet fotografike, ishte i fokusuar një person, i cili ka punuar gjithmonë pa u dukur shumë në publik. Ai është Dhimostein Gjini, mjeku i skuadrës së Partizanit, që e “braktisi” ekipin për disa minuta dhe po merrej me atë djalin që i kishin hapur kokën me shkop gome dhe me vajzën, të cilës i kishin spërkatur fytyrën me gaz lotsjellës. Dhimo nuk kishte më interes për muskujt e futbollistëve të tij, sepse i ishte kthyer tapeti i impiantit, ku duhet të vazhdohej të luhej futboll, në një spital fushor.

Finalja… Ndërsa fundi, siç ndodh shpesh në të tilla raste është gjithmonë qesharak. Në një komunikatë, policia bënte të ditur se në atë sektor që ndërhyu kishte njerëz të dehur dhe nuk mund të toleronte. Por në çfarë manuali të forcave të rendit shkruhet, që nëse haset një i pirë në rrugë, duhet bërë për spital? Por, bufonata nuk ka kufij, ashtu si edhe përdorimi i forcës në “Elbasan Arena”. Thuhej (kjo jo zyrtarisht), që këta “Guerrilsat”, siç e kanë pagëzuar veten grupimi ultras i tifozëve të Partizanit, janë ca të prapë… le që duken edhe nga emri.

A e dini se si quhen tifozët e Dinamos, një prej skuadrave më të mëdha rumune? “Qentë”…, por kjo nuk do të thotë që Bashkia e Bukureshtit të angazhojë punonjësit e saj, për t’i vrarë rrugëve.

Për paradoks, ndeshja Dinamo – Apolonia (dy nga skuadrat historikisht më të buta shqiptare), filloi me 10 minuta vonesë, sepse forcat e rendit nuk bindeshin për të marrë në ruajtje ambjentin e brendshëm të fushës sportive në Pezë-Helmës. Ndërsa takimi Shkëndia e Tiranës – Laçi U-19, u ndërpre në të 59’, për të mos vazhduar më, pasi policët u larguan, meqë i kishte marrë uria… ishin kolegët e këtyre luftëtarëve të Elasanit.

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>